Fisnik Asllani ishte marrëvesh për çdo detaj me Leipzigun, por transferimi dështoi pas problemeve të evidentuara gjatë kontrolleve mjekësore. Sulmuesi 23-vjeçar i Hoffenheimit nuk do të transferohet te Leipzigu pasi rezultatet e ekzaminimeve mjekësore bënë që gjithçka të ndalej.
Marrëveshja, e cila e parashikonte një investim prej 25 milionë eurosh, tashmë është anuluar, duke i rikthyer në skenë Barcelonën dhe Borussia Dortmundin. Leipzigu kishte avancuar deri në aktivizimin e klauzolës së lirimit të Asllanit, e cila ishte vendosur në 25 milionë euro, me bonuse që mund ta çonin vlerën totale të transferimit deri në 30 milionë euro.
Sulmuesi kosovar gjithashtu kishte arritur marrëveshje personale me klubin gjerman për një kontratë deri në vitin 2031. Megjithatë, kontrollet mjekësore e penguan përfundimin e transferimit e Asllanit, i cili e përfundoi sezonin e kaluar me 11 gola dhe 8 asistime në 35 ndeshje. Tani, megjithatë, Hoffenheimi e ka sërish sulmuesin në dispozicion.
Dështimi i transferimit te Leipzigu e ka ndryshuar situatën edhe për Barcelonën, e cila e ka ndjekur sulmuesin gjatë gjithë afatit kalimtar të verës. Interesimi i klubit katalanas ishte i lidhur me operacione të tjera për përforcimin e repartit ofanziv, por tani Asllani është rikthyer në tavolinë pas prishjes së marrëveshjes me Leipzigun.
“Blaugrana” kanë mbetur pa sulmuesin Robert Lewandowski, i cili përfundoi në ligën MLS dhe Ferran Torres pritet të transferohet në Paris Saint-Germain. Prandaj, ata kanë nevojë për një sulmues qendre dhe Asllani do të ishte përforcimi ideal për Barçën. Lidhja mes Asllanit dhe Barcelonës nuk është diçka e re.
Sulmuesi kosovar e ka shfaqur publikisht admirimin e tij për klubin katalanas dhe në muajin qershor kishte publikuar edhe fotografi të lidhura me fëmijërinë e tij dhe Barcelonën, ndërsa në atë periudhë po negocionte me Borussia Dortmundin. Verdhezinjtë po ashtu vazhdojnë ta monitorojnë lojtarin.
Gjermanët e kishin identifikuar Asllanin si një alternativë për repartin ofanziv në rast të ndryshimeve në skuadër. Hapi i radhës do të varet nga fakti nëse njëri prej këtyre dy klubeve do t’i rifillojë kontaktet me Hoffenheimin, si dhe nga kushtet ekonomike që klubi gjerman do t’i vendosë pas transferimit të dështuar te Leipzigu.
