Ndryshimi i ritualeve, shmangia e cigareve të preferuara, moskrijimi i rezervave dhe aktiviteti fizik mund ta bëjnë më të lehtë shkëputjen nga zakoni, por lënia e duhanit kërkon vendim, plan dhe, kur është e nevojshme, ndihmë profesionale Nuk kam qenë duhanpirës dhe nuk dua të paraqitem sikur e di saktësisht çfarë përjeton një njeri kur përpiqet ta lërë duhanin.
Por, nga puna ime si trajner personal dhe nga përvoja ime me ushqimin dhe stërvitjen, kam mësuar diçka: një zakon bëhet shumë më i vështirë për t’u ndërprerë kur vazhdojmë t’ia krijojmë vetes të gjitha kushtet për ta shijuar. Edhe unë, gjatë dietës, jam detyruar të largohem nga ushqime që më kanë pëlqyer shumë. Në fillim mendoja se mjaftonte disiplina.
E blija ushqimin, e mbaja në shtëpi dhe i thosha vetes se nuk do ta haja. Por, kur diçka që të pëlqen gjendet vazhdimisht para syve, vjen një moment kur lodhesh duke luftuar me veten. E kuptova se zgjidhja nuk ishte të bëhesha çdo ditë “më i fortë”, por të mos e blija fare atë ushqim. Kur nuk ishte në shtëpi, nuk më duhej të merrja të njëjtin vendim dhjetë herë në ditë.
Nuk e torturoja veten duke e parë dhe duke menduar për të. Thjesht ia vështirësova vetes kthimin te zakoni i vjetër. Mendoj se i njëjti parim mund të ndihmojë edhe dikë që dëshiron ta lërë duhanin. Nëse ende nuk je gati ta ndërpresësh menjëherë, të paktën mos i bli cigaret që të pëlqejnë më së shumti. Mos e kërko gjithmonë markën dhe shijen që të përshtaten në mënyrë të përkryer.
Sa herë që e zgjedh duhanin e preferuar, në njëfarë mënyre po kujdesesh që varësia të vazhdojë të jetë sa më e këndshme. E nëse dëshiron të largohesh nga një zakon, nuk ka kuptim të punosh çdo ditë për ta bërë atë edhe më tërheqës. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se ekziston ndonjë cigare e mirë apo më e shëndetshme. Të gjitha janë të dëmshme.
As nuk po them që një markë duhet zëvendësuar përgjithmonë me një tjetër. Kjo mund të shërbejë vetëm si një fazë kalimtare, derisa të vendosësh ta ndërpresësh plotësisht. Pastaj, mos krijo rezerva. Mos bli disa paketa paraprakisht dhe mos i mbaj cigaret në çdo vend: në xhep, në veturë, në tavolinë dhe në shtëpi.
Kur i ke gjithmonë pranë, dora shkon te paketa para se të mendosh mirë se çfarë po bën. Ndonjëherë disiplina nuk është vetëm t’i rezistosh diçkaje. Disiplina është edhe të mos e vendosësh veten pa nevojë përballë saj. Duhet t’i dallosh edhe momentet kur e kërkon më së shumti cigaren. A është kafeja e mëngjesit? Pushimi në punë? Vozitja? Stresi? Apo shoqëria?
Nëse cigarja lidhet me kafenë, ndryshoje për një kohë atë ritual. Nëse e ndez pas ushqimit, ngrihu dhe ec për disa minuta. Kur je nën stres, pi ujë, dil në ajër ose bëj disa ushtrime të lehta. Si trajner, e di sa shumë mund të ndihmojë lëvizja. Nuk ke nevojë të fillosh me stërvitje të rënda. Edhe ecja është një fillim i mirë.
Me kalimin e kohës fillon ta ndiesh frymëmarrjen më të lirë, më shumë energji dhe më pak lodhje. Kur trupi fillon të ndihet më mirë, ke edhe më shumë arsye të mos kthehesh prapa. Lënia e duhanit kërkon vendim, por kërkon edhe plan. Vendose një datë. Tregoju njerëzve të afërt. Mendo paraprakisht se çfarë do të bësh kur të të vijë dëshira për cigare.
Dhe nëse ndodh që pas disa ditësh ta ndezësh një cigare, mos thuaj: “Dështova, tash nuk ka më rëndësi”. Një gabim nuk i fshin të gjitha ditët pa duhan. Shiko çfarë të shtyu drejt saj dhe vazhdo përsëri. Nëse nuk mundesh vetëm, kërko ndihmë nga mjeku ose një profesionist shëndetësor. Nuk ka asgjë të keqe në këtë. Varësia nga nikotina është reale dhe ndonjëherë vullneti nuk mjafton.
Nga përvoja ime me ushqimin kam mësuar një gjë të thjeshtë: nëse dëshiron të largohesh nga diçka, mos ia bëj vetes atë sa më të afërt, sa më të lehtë dhe sa më të këndshme. Mos e bëj zakonin e keq më të përshtatshëm për veten. Bëje jetën pa të më të përshtatshme.
