Përtej zhurmës së bardhë gjendet një botë e gjallë mundësish, prandaj hiqi kufjet dhe dëgjo çfarë të rrethon. Kjo madje mund të ta shpëtojë jetën. Nga: Stefan Stern / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com Ë, më fal. Përshëndetje? Më vjen keq, por a të pengon t’i heqësh … Thashë, a të pengon t’i heqësh ato kufje për një sekondë, të lutem?
Në përgjithësi, përpiqem të jem një njeri i tipit jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë. I durueshëm. I vëmendshëm. Por, nga përhapja, nga epidemia e kufjeve pothuajse të kudogjendura, ky durim po vihet në provë deri në pikën e këputjes. Mesa duket, bota duhet të mbahet jashtë. Ai që i mban nuk ka asgjë për të mësuar ose përfituar duke dëgjuar këdo tjetër në afërsi të tij.
Ata do të parapëlqenin të ishin diku tjetër, të zhytur në muzikë ose në një roman, ose ndoshta në një telefonatë të zhurmshme në trotuar e cila, fatkeqësisht për përgjuesin e rastësishëm, do të mbetet vetëm një shkëmbim disi i çuditshëm i njëanshëm.
Çështja për të cilën nuk bëj kompromis është se atje jashtë ekziston një botë magjepsëse dhe e bukur, e mbushur me biseda dhe të qeshura dhe me mundësinë për të krijuar miqësi dhe njohje të reja. Por, në vend që të marrin pjesë në të gjitha këto, njerëzit parapëlqejnë t’i vendosin kufjet, të lidhen dhe të shkëputen.
Ky fenomen duket se është dëshmi e shekullit XXI e bindjes së Pascalit se “paaftësia për të qëndruar qetësisht vetëm në një dhomë” është burimi i të gjitha problemeve tona. Duhet të ketë zhurmë të vazhdueshme, të transmetuar. Heshtja është armiku. Ndoshta kjo është një tjetër pasojë e izolimeve gjatë koronavirusit.
U mësuam të ishim vetëm, të punonim në shtëpi, me kufjet në veshë, për t’ua kursyer shokëve të banesës ose anëtarëve të familjes shpërqendrimin nga bisedat e tjera. Pas kthimit në vendin e punës, kufjet kanë mbetur në veshë. Ndoshta kjo mund të ndihmojë në përqendrim, si një protestë kundër intimitetit të imponuar të zyrës me plan të hapur.
Por, kjo ua vështirëson jetën kolegëve të cilët mund të duan të bëjnë një pyetje të shpejtë, ose një shefi dashamirës – ekzistojnë edhe lloje të tjera shefash – që të tregojë njëfarë interesi për ty, kur ai “menaxhon duke ecur përreth”. Paramendo sikur dy shekuj më parë, [poeti William] Wordsworth të endej i vetmuar me AirPods -at në veshë.
A do ta kishte dëgjuar ndonjëherë muzikën e qetë, të trishtuar të njerëzimit / Jo të ashpër as gërryese, megjithëse me fuqi të madhe / Për të qortuar dhe nënshtruar? Në rregull, ndoshta është e sjellshme që në autobus ose tren t’i vendosësh kufjet dhe të shmangësh krijimin e ndotjes akustike. Njerëzit që janë neurodivergjentë mund të duan t’i bllokojnë disa gjëra.
Por, personalisht, zakonisht më pëlqen t’i dëgjoj bisedat që mund të dëgjohen, në një sërë gjuhësh, në transportin publik. E di që Nigel Farage i kundërshton gjërat e tilla, por ne të tjerët nuk jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Unë them: hiqi kufjet, m’i huazo mua (dhe të gjithë të tjerëve) veshët e tu dhe shijoje botën përreth teje. Zgjidhe jetën reale.
Të paktën, të qenët vigjilent mund të të shpëtojë nga shtypja prej një automjeti ose grabitja. Dhe, e di ti, sikur të mos kishte kaq shumë nga këto kufje vazhdimisht para syve, atëherë ndoshta njerëzit do të ndalonin së nisuri kaq shumë podkaste.
