Bernardo Silva mori menjëherë një “dozë” të stilit të Jose Mourinhos pas paraqitjes së tij të parë me Real Madridin në ndeshjen parasezonale ndaj Ferencvarosit të shtunën në Budapest. Portugezi, i cili iu bashkua Real Madridit si lojtar i lirë pas largimit nga Manchester City dhe pushimeve pas Kupës së Botës, luajti pjesën e dytë në fitoren 2-1 të madrilenëve.
Megjithatë, Mourinho nuk ishte aspak i kënaqur me gjendjen fizike të 31-vjeçarit dhe kërkoi që ai të përmirësohet sa më shpejt. “Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Por i gjori, kur shkon me pushime, dëshiron të shkëputet plotësisht dhe nuk bën asnjë punë.
Prandaj, ai u kthye në përgatitjet parasezonale me një gjendje fizike shumë më të dobët dhe duhet të përmirësohet”, deklaroi Mourinho. Silva gjatë karrierës së tij ka luajtur në disa pozicione, kryesisht si numër 10 ose mesfushor krahu. Megjithatë, me kalimin e viteve, Mourinho shpreson që veterani portugez të mund të luajë edhe në rolin e numrit 6 ose 8 kur të jetë e nevojshme.
“Bernardo është një lojtar i jashtëzakonshëm që na jep shumë në ndërtimin e aksioneve me topin, edhe kur luan në një pozicion më të tërhequr. Gjatë ndeshjes pashë se i mungon forca fizike, ndaj e zhvendosa në pozicionin numër 10. Ai mund të luajë edhe aty”. “Ai mund të luajë në tre ose katër pozicione”.
Federico Valverde, Eduardo Camavinga dhe Arda Guler kanë formuar treshen e mesfushës së Mourinhos në tri ndeshjet parasezonale ndaj Leganesit, Fiorentinës dhe Ferencvarosit, kryesisht për shkak të mungesës së alternativave.
Megjithatë, me rikthimin e Bernardos në skuadër, si dhe me Jude Bellinghamin dhe Aurelien Tchouamenin që pritet të rikthehen pas pushimeve të tyre, Mourinho do të ketë shumë më tepër opsione për të ndërtuar mesfushën e Real Madridit.
