Kardio-boksi, stërvitja që djeg kalori dhe largon stresin: Pse është

0%

Nuk keni nevojë të dini të boksoni: Kjo stërvitje aktivizon gjithë trupin dhe ju çliron nga tensioni Bëhet fjalë për një stërvitje në grup që përfshin elementet bazë të boksit – goditjet, pozicionin mbrojtës dhe lëvizjen, por pa përballje fizike mes pjesëmarrësve.

Qëllimi nuk është të mposhtni kundërshtarin, por të përmirësoni kondicionin, të forconi muskujt dhe të çliroheni nga stresi i përditshëm. Pikërisht për këtë arsye, kardio-boksi vitet e fundit është bërë një nga format më të njohura të stërvitjes rekreative dhe u përshtatet njerëzve të moshave dhe niveleve të ndryshme të përgatitjes fizike.

Seanca zakonisht fillon me nxehje, e cila përgatit muskujt dhe nyjat për një aktivitet më intensiv. Më pas, trajneri demonstron pozicionin bazë, mënyrën e duhur të lëvizjes dhe goditjet më të zakonshme, si goditja e drejtë, kroshéja dhe aperkati.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pasi përvetësohen bazat, vazhdohet me kombinime goditjesh në thes ose në ajër, të shoqëruara me ushtrime dinamike kardio, si kërcimi me litar, ulje-ngritjet, hapat përpara me përkulje të gjurit dhe ushtrimet për forcimin e muskujve të trungut. Stërvitja përfundon me ushtrime shtrirjeje, të cilat ndihmojnë trupin të rikuperohet më lehtë.

Ndryshe nga boksi klasik, në kardio-boks nuk ka sparing apo kontakt fizik me pjesëmarrësit e tjerë, prandaj edhe rreziku nga lëndimet është dukshëm më i vogël, transmeton Telegrafi. Pse kardio-boksi është një nga stërvitjet më efektive për të gjithë trupin? Gjatë një seance aktivizohen pothuajse të gjitha grupet e mëdha të muskujve.

Fuqia e goditjes nuk vjen vetëm nga duart, por nga puna e koordinuar e këmbëve, ijëve, trungut dhe shpatullave. Për këtë arsye, kardio-boksi zhvillon njëkohësisht qëndrueshmërinë, forcën, ekuilibrin dhe koordinimin.

Stërvitjet e rregullta mund të ndihmojnë në: përmirësimin e kondicionit fizik dhe funksionimit të zemrës; forcimin e muskujve të gjithë trupit; rritjen e lëvizshmërisë dhe koordinimit; përmirësimin e ekuilibrit; ruajtjen dhe përmirësimin e densitetit të kockave, falë ushtrimeve që ushtrojnë ngarkesë mbi skeletin. A mund të ndihmojë kardio-boksi në humbjen e peshës?

Kardio-boksi bën pjesë ndër stërvitjet me intensitet të lartë, ndaj mund të shpenzojë një sasi të konsiderueshme kalorish. Në të njëjtën kohë ndihmon në zhvillimin e masës muskulore, ndërsa më shumë muskuj nënkuptojnë edhe shpenzim më të madh të energjisë gjatë ditës.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se asnjë lloj stërvitjeje, i vetëm, nuk është i mjaftueshëm për humbje të qëndrueshme të peshës trupore . Rezultatet më të mira arrihen kur aktiviteti i rregullt fizik kombinohet me ushqyerje të ekuilibruar dhe gjumë cilësor.

Kardio-boksi nuk i bën mirë vetëm trupit, por edhe mirëqenies mendore Përveç përfitimeve fizike, ky lloj aktiviteti mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për t’u çliruar nga tensioni dhe stresi.

Ushtrimet intensive nxisin çlirimin e endorfinave, substanca të organizmit që lidhen me përmirësimin e humorit, ndërsa përqendrimi i nevojshëm për realizimin e kombinimeve të goditjeve ndihmon që vëmendja të përqendrohet te momenti i tanishëm dhe jo te shqetësimet e përditshme.

Shumë persona që e praktikojnë kardio-boksin thonë se pas stërvitjes ndihen më të qetë, kanë më shumë energji dhe e përballojnë më lehtë stresin. A është kardio-boksi i përshtatshëm për fillestarët? Po. Shumica e programeve janë të përshtatura edhe për njerëzit që nuk janë marrë kurrë më parë me sporte luftarake.

Trajneri i prezanton gradualisht lëvizjet bazë, ndërsa intensiteti i ushtrimeve mund të përshtatet sipas nivelit të përgatitjes fizike të secilit pjesëmarrës. Për stërvitjen e parë mjaftojnë rroba sportive të rehatshme, atlete, ujë dhe peshqir. Në shumë qendra fitnesi, dorezat e boksit mund të merren me qira ose të huazohen, kështu që nuk është e nevojshme të blini menjëherë pajisje.

Më e rëndësishmja është të mos përpiqeni t’i mësoni të gjitha që në seancën e parë. Teknika e duhur, vazhdimësia dhe rritja graduale e ngarkesës sjellin rezultatet më të mira, si për kondicionin fizik, ashtu edhe për shëndetin.

Burimi: Telegrafi