Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar të premten rastin e parë gjatë vitit 2026 me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV). Sipas IKShPK-së, rasti është konfirmuar përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë.
Bëhet fjalë për një person të gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 2005, shtetas i Kosovës, i cili po trajtohet në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. IKShPK ka bërë të ditur se pacienti është në gjendje stabile dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
“Rasti është një person i gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 2005, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Pacienti ndodhet në gjendje stabile dhe po merr trajtimin e nevojshëm”, thuhet në komunikatën e IKShPK-së.
Nga hulumtimi epidemiologjik rezulton se pacienti nuk ka udhëtuar jashtë Kosovës në vende ku aktualisht është raportuar qarkullimi i virusit. Virusi i Nilit Perëndimor është sëmundje sezonale që shfaqet kryesisht gjatë muajve të verës dhe transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, deri më , në Rajonin Evropian raste të infeksionit janë raportuar në Itali, Greqi, Spanjë, Maqedoni të Veriut, Rumani, Francë dhe Gjermani. Italia ka raportuar 139 raste, Greqia 61, Spanja 17, Maqedonia e Veriut 13, Rumania gjashtë, Franca katër dhe Gjermania një rast.
Në Kosovë, gjatë periudhës 2021–2025, janë regjistruar gjithsej nëntë raste të Virusit të Nilit Perëndimor. Shtatë raste janë raportuar në vitin 2024, ndërsa nga një rast në vitet 2023 dhe 2025. IKShPK ka theksuar se rasti i konfirmuar më 7 gusht është i pari i regjistruar në Kosovë gjatë vitit 2026.
Sipas institutit, virusi nuk transmetohet nga personi në person përmes kontakteve të zakonshme, por kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Rreth 80 për qind e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa rreth 20 për qind mund të kenë ethe, temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, lodhje ose skuqje të lëkurës.
Më pak se një për qind e rasteve mund të zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes që prekin sistemin nervor, kryesisht te personat e moshuar ose ata me sëmundje shoqëruese. IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin masa parandaluese për të reduktuar rrezikun e pickimit nga mushkonjat.
Instituti rekomandon përdorimin e repelentëve, veshjen e rrobave me mëngë dhe pantallona të gjata, veçanërisht në mbrëmje, vendosjen e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer, si dhe eliminimin e ujit të ndenjur në oborre, vazo dhe enë ku mund të shumohen mushkonjat.
Po ashtu, qytetarëve u rekomandohet të shmangin qëndrimin jashtë gjatë agimit dhe muzgut, kur mushkonjat janë më aktive, si dhe të mbajnë të pastra pishinat, shatërvanët dhe hapësirat ku mund të grumbullohet ujë.
Personat që udhëtojnë në vende ku është i pranishëm virusi këshillohen të përdorin masa mbrojtëse ndaj pickimeve të mushkonjave dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse shfaqin simptoma gjatë ose pas udhëtimit.
IKShPK ka bërë të ditur se situata po monitorohet në vazhdimësi dhe ka theksuar se “nuk ka vend për panik”, duke vlerësuar se zbatimi i masave të thjeshta mbrojtëse mbetet mënyra më efektive për reduktimin e rrezikut të infektimit gjatë sezonit të aktivitetit të mushkonjave. / Telegrafi
