Shpërndaje në: Është identifikuar dhe konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar në Zubin-Potok gjatë vazhdimit të hetimeve për rastin e krimeve të luftës. Kjo është bërë e ditur nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Sipas njoftimit të përbashkët të dy institucioneve, në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë me institucionet kompetente, me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të rastit.
“Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional”, thuhet në njoftim.
Të martën e javës së shkuar u zbulua varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin-Potokut, ndërsa të dielën edhe në Jabukë të kësaj komune.
