Miliona njerëz i përdorin çdo ditë, por mitet për efektet anësore vazhdojnë të krijojnë pasiguri Mr.Ph. Diellza S. Mustafa Statinat janë ndër barnat më të përdorura në mjekësinë moderne, kryesisht për uljen e kolesterolit LDL dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Ato përdoren prej dekadash dhe janë ndër terapitë farmakologjike me bazën më të gjerë të provave klinike për parandalimin e infarktit të miokardit dhe goditjes në tru. Megjithatë, rreth tyre vazhdojnë të qarkullojnë shumë shqetësime, sidomos për efektet anësore. Një pjesë e tyre janë reale, por të rralla; të tjera raportohen po aq shpesh edhe te personat që nuk marrin statina.
Pikërisht këtu bëhet i rëndësishëm dallimi ndërmjet rrezikut real dhe frikës së krijuar nga informacioni i pasaktë. Nga vijnë statinat? Historia e statinave fillon në vitet 1970, kur biokimisti japonez Akira Endo identifikoi komponime të prodhuara nga kërpudhat që frenonin HMG-CoA reduktazën, një enzimë kyçe në sintezën e kolesterolit.
Në vitin 1987 u miratua lovastatina, statina e parë që hyri në përdorim të gjerë klinik. Më pas u zhvilluan barna të tjera të kësaj klase, si simvastatina, pravastatina, atorvastatina dhe rosuvastatina. Si veprojnë statinat? Statinat frenojnë enzimën HMG-CoA reduktazë në mëlçi dhe zvogëlojnë prodhimin e kolesterolit.
Si përgjigje, qelizat e mëlçisë shtojnë numrin e receptorëve LDL në sipërfaqen e tyre dhe largojnë më shumë LDL-C nga qarkullimi i gjakut. Në varësi të llojit dhe dozës, statinat mund ta ulin LDL-C me më pak se 30%, me 30–49% ose me 50% e më shumë. Atorvastatina dhe rosuvastatina, në dozat përkatëse, mund të përdoren si terapi me intensitet të lartë.
Përveç uljes së LDL-C, statinat lidhen edhe me stabilizimin e pllakës aterosklerotike. Përfitimi i tyre kryesor klinik, megjithatë, mbetet reduktimi i ekspozimit ndaj lipoproteinave aterogjene dhe, rrjedhimisht, i rrezikut për ngjarje kardiovaskulare. Kujt i rekomandohen?
Statinat janë pjesë themelore e parandalimit sekondar te pacientët që tashmë kanë sëmundje kardiovaskulare aterosklerotike, si infarkt të mëparshëm, sindromë koronare akute, anginë, rivaskularizim koronar, goditje ishemike në tru ose sëmundje të arterieve periferike. Në parandalimin primar, vendimi nuk bazohet vetëm në një vlerë të kolesterolit.
Merren parasysh rreziku i përgjithshëm kardiovaskular, mosha, LDL-C, diabeti, funksioni renal, hipertensioni, duhanpirja, historia familjare dhe faktorë të tjerë. Pacientët me hiperkolesterolemi familjare zakonisht kanë nevojë për trajtim të hershëm dhe më intensiv, shpesh me kombinim të statinës me barna të tjera që ulin LDL-C. Sa të sigurta janë statinat?
Shumica e pacientëve i tolerojnë mirë. Shqetësimi më i njohur janë simptomat muskulore: dhimbja, ndjeshmëria, ngërçet ose dobësia. Megjithatë, provat e randomizuara tregojnë se shumica e dhimbjeve muskulore që shfaqen gjatë terapisë nuk shkaktohen nga vetë statina. Miopatia e rëndë është e rrallë, ndërsa rabdomioliza është shumë e rrallë.
Statinat gjithashtu mund të shkaktojnë një rritje të vogël të glukozës në gjak dhe te disa persona me predispozitë mund ta përshpejtojnë diagnostikimin e diabetit të tipit 2. Ky rrezik është më i rëndësishëm te pacientët që tashmë kanë faktorë metabolikë rreziku dhe rritet me intensitetin e trajtimit.
Në shumicën e pacientëve me rrezik kardiovaskular, përfitimi nga parandalimi i infarktit dhe goditjes në tru është dukshëm më i madh se ky rrezik. Çfarë është efekti nocebo? Efekti nocebo nuk do të thotë se simptomat e pacientit janë të imagjinuara. Ai përshkruan situatën kur pritshmëritë negative ndaj një bari ndikojnë në perceptimin ose atribuimin e simptomave.
Një pacient që ka dëgjuar vazhdimisht se statinat shkaktojnë dhimbje muskulore mund të bëhet më i vëmendshëm ndaj dhimbjeve të zakonshme dhe t’ia atribuojë ato barit. Pikërisht për këtë arsye pacienti duhet dëgjuar dhe simptomat duhet vlerësuar, jo mohuar. Nëse shfaqen dhimbje ose dobësi muskulore, nuk është zgjidhje që terapia të ndërpritet menjëherë dhe përgjithmonë pa konsultim.
Çfarë bëhet kur një statinë nuk tolerohet? Së pari vlerësohet nëse ekziston një shkak tjetër: aktivitet fizik intensiv, hipotiroidizëm, sëmundje të tjera ose ndërveprime me barna. Në varësi të situatës, mjeku mund të vendosë për një ndërprerje të përkohshme, rifillim të terapisë, ulje të dozës ose kalim në një statinë tjetër.
Intoleranca ndaj një statine nuk do të thotë domosdoshmërisht intolerancë ndaj të gjithë grupit. Nëse LDL-C nuk kontrollohet me dozën maksimale të tolerueshme, mund të përdoren edhe terapi të tjera, si ezetimibi, inhibitorët PCSK9, inclisirani ose acidi bempedoik, varësisht nga profili dhe rreziku i pacientit.
Statinat dhe ndërveprimet me barna të tjera Ky është një nga aspektet ku roli i farmacistit bëhet veçanërisht i rëndësishëm. Jo të gjitha statinat metabolizohen njësoj. Simvastatina dhe atorvastatina, për shembull, mund të ndërveprojnë me barna që ndikojnë në sistemin CYP3A4.
Disa antibiotikë makrolidë, si klaritromicina dhe eritromicina, si dhe disa barna antifungale, mund të rrisin përqendrimin e statinës në gjak dhe, për pasojë, rrezikun e efekteve muskulore. Edhe grejpfruti mund të ndërveprojë me disa statina, por jo me të gjitha në të njëjtën mënyrë.
Prandaj pacienti duhet t’i tregojë mjekut ose farmacistit të gjitha barnat, suplementet dhe preparatet bimore që përdor. Çfarë duhet kontrolluar gjatë terapisë? Para fillimit të trajtimit zakonisht vlerësohen profili lipidik, funksioni i mëlçisë dhe faktorët e tjerë individualë të rrezikut.
Profili lipidik përsëritet pas fillimit ose ndryshimit të terapisë për të parë nëse është arritur ulja e pritshme e LDL-C. Kreatin-kinaza (CK) nuk ka nevojë të matet rutinë te çdo pacient. Ajo bëhet veçanërisht e rëndësishme kur shfaqen dhimbje, ndjeshmëri ose dobësi muskulore të pashpjegueshme.
Dhimbja e fortë muskulore, dobësia e theksuar ose urina me ngjyrë të errët kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor. Po mikrobiota? Marrëdhënia ndërmjet statinave dhe mikrobiotës së zorrëve është një fushë interesante kërkimore. Studimet sugjerojnë se mund të ketë ndërveprime ndërmjet mikroorganizmave intestinalë, metabolizmit të lipideve dhe përgjigjes ndaj barnave.
Megjithatë, këto të dhëna nuk janë ende në nivelin ku analiza e mikrobiotës të përdoret në praktikën e përditshme për zgjedhjen e statinës, përcaktimin e dozës ose parashikimin e efekteve anësore. Pse nuk duhet ndërprerë statina me vetëdëshirë? Kur terapia ndërpritet, efekti i saj në uljen e LDL-C humbet dhe kolesteroli gradualisht rikthehet drejt niveleve që pacienti kishte pa trajtim.
Për një person me sëmundje të njohur kardiovaskulare ose rrezik të lartë, kjo do të thotë humbje të mbrojtjes që terapia ofron ndaj ngjarjeve të ardhshme. Prandaj, edhe kur dyshohet për një efekt anësor, hapi i parë duhet të jetë konsultimi me mjekun ose farmacistin, jo ndërprerja përfundimtare e terapisë.
Roli i farmacistit Farmacisti mund të ndihmojë pacientin të kuptojë pse i është përshkruar statina, si duhet marrë, cilat efekte anësore duhen vëzhguar dhe cilat simptoma nuk duhet t’i atribuohen automatikisht barit.
Një pjesë veçanërisht e rëndësishme e punës së farmacistit është kontrolli i ndërveprimeve ndërmjet barnave dhe identifikimi i situatave në të cilat duhet kontaktuar mjeku për ndryshim të dozës ose të preparatit.
Edukimi i pacientit është po aq i rëndësishëm sa vetë receta, sepse statinat zakonisht janë terapi afatgjata parandaluese dhe jo barna që merren vetëm derisa analiza e kolesterolit të përmirësohet. Mesazhi për pacientët Statinat nuk janë barna pa efekte anësore dhe nuk janë të nevojshme për çdo person me kolesterol të rritur.
Por te pacientët e zgjedhur siç duhet, ato janë ndër terapitë me provat më të forta për uljen e rrezikut të infarktit të miokardit dhe goditjes në tru.
Sfida sot nuk është vetëm të përshkruhet bari i duhur, por të zgjidhet statina dhe doza e përshtatshme, të kontrollohen ndërveprimet, të monitorohet terapia dhe, mbi të gjitha, pacientit t’i shpjegohet qartë dallimi ndërmjet rrezikut real dhe frikës së krijuar nga dezinformimi.
