Një mosmarrëveshje për pronën në fshatin Klinë e Poshtme të Skenderajt ka përfunduar me përleshje fizike, arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e një arme zjarri. Sinjali mëson se të dyshuar janë Skender Ibishaj , 61 vjeçar, Enver Ibishaj , 61 vjeçar dhe Arifi Ibishaj , 57 vjeçar, ndërsa ankues është Ali Ibishi , 31 vjeçar.
Sipas burimeve, Policia është njoftuar përmes telefonit për një përleshje mes disa personave. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë takuar ankuesin, i cili ka deklaruar se ishte sulmuar fizikisht nga dy djemtë e axhës së tij, për shkak të një kontesti pronësor, për të cilin të dyja palët pretendojnë pronësinë.
Gjatë kontrollit të një automjeti që ndodhej pranë vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë “Sarsilmaz”, kalibër 9×19 mm, së bashku me një karikator dhe 17 fishekë. Sipas hetimeve fillestare, arma nuk dyshohet të jetë përdorur gjatë incidentit. Të gjitha palët janë shoqëruar në Stacionin Policor në Skenderaj, ku janë intervistuar në prani të procedurave ligjore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve është iniciuar procedurë për tri vepra penale: “Sulm”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
