Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për më shumë raketa për rezervat e tyre, ndërsa njëkohësisht ka shprehur optimizëm se negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po bëjnë përparim.
“Edhe ne duam raketa”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, kur u pyet nëse Uashingtoni do t’i përgjigjej kërkesave të vazhdueshme të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për më shumë raketa Patriot dhe armë me rreze të gjatë veprimi. Trump tha se negociatat për luftën në Ukrainë po ecin përpara, por pranoi se armiqësia mes Moskës dhe Kievit mbetet e thellë, shkruan Euronews.
“Po punojmë për këtë dhe mendoj se po bëjmë përparim. Kjo është një luftë brutale, shumë brutale, ka shumë urrejtje”, deklaroi ai. Presidenti amerikan pretendoi se mbështetja e madhe ushtarake e administratës së mëparshme për Ukrainën kishte ndikuar në rezervat e SHBA-së dhe tha se arsenali amerikan tani po rindërtohet.
Sipas një raporti të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, ushtria amerikane ka më pak se 1,000 raketa interceptuese Patriot dhe më pak se 250 raketa THAAD. Trump megjithatë këmbënguli se SHBA-ja nuk po përballet me mungesë të përgjithshme armësh, duke thënë se disa lloje municionesh janë më të kufizuara, por prodhimi po rritet çdo ditë.
Ai tha se kompanitë amerikane të mbrojtjes po ndërtojnë fabrika të reja për prodhimin e raketave Patriot dhe Tomahawk. Trump u ndal edhe te konflikti me Iranin, duke thënë se beson se ai “nuk mund të zgjasë shumë më gjatë”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!