Rodri ka bërë hapin e parë drejt një transferimi të mundshëm te Barcelona, duke arritur një marrëveshje personale me klubin katalanas. Sipas raportimeve të gazetës spanjolle Marca, mesfushori i Manchester Cityt ka gjetur akordin ekonomik me Barcelonën, e cila i ka ofruar atij një projekt që e ka bindur për të vazhduar karrierën në “Camp Nou”.
Rodri ka pritur që Real Madridi të ndërmarrë hapa konkretë në negociatat me Manchester Cityn, por pas mungesës së një lëvizjeje vendimtare nga ana e klubit madrilen, lojtari ka vendosur të avancojë me opsionin Barcelona.
Katalanasit tashmë kanë marrë dritën jeshile nga vetë futbollisti dhe në orët e ardhshme pritet të kontaktojnë zyrtarisht Manchester Cityn për të nisur negociatat për transferimin. Sipas Marca, disa prej bashkëlojtarëve të Rodrit në Kombëtaren e Spanjës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në bindjen e tij për të shqyrtuar mundësinë e një kalimi te Barcelona.
