Presidenti i Rubin Kazanit, Marat Safiullin, i ka kushtuar një mesazh emocionues Mirlind Dakut pas transferimit te Spartaku i Moskës, duke e falënderuar për kontributin e dhënë gjatë tri sezoneve me klubin. Në një reagim të publikuar nga Rubini, Safiullin e cilësoi Dakun si një nga figurat më të rëndësishme të ekipit dhe një prej lojtarëve më të spikatur të Premier Ligës ruse.
“Në emër të Klubit të Futbollit Rubin, tifozëve tanë dhe personalisht, dua të të falënderoj për tre vitet që kalove në Kazan.
Gjatë kësaj kohe u bëre lider jo vetëm i ekipit tonë, por edhe i Premier Ligës ruse, një perlë e vërtetë e kampionatit dhe tashmë e ke gdhendur emrin tënd në historinë e klubit.” Safiullin theksoi se Daku dha një kontribut të madh në rezultatet dhe zhvillimin e Rubin Kazanit, duke përfaqësuar me dinjitet klubin dhe Republikën e Tatarstanit.
Sipas tij, dashuria dhe respekti që sulmuesi fitoi nga tifozët janë dëshmia më e mirë e ndikimit që pati gjatë qëndrimit në Kazan.
“Jemi mirënjohës për karakterin e fortë dhe shpirtin garues që tregove në fushë, si dhe për atmosferën e miqësisë dhe unitetit që krijove në dhomën e zhveshjes.” Në fund të mesazhit, presidenti i bordit të Rubinit i uroi Dakut suksese në aventurën e re me Spartakun e Moskës. “Para teje është një kapitull i ri në karrierë. Të urojmë shëndet, fitore, gola të bukur dhe suksese të reja.
Mos harro se Tatarstani do të jetë gjithmonë shtëpia jote dhe dyert e Rubin Kazanit do të jenë gjithmonë të hapura për ty.” Mirlind Daku u transferua këtë verë te Spartaku i Moskës, pasi kaloi tri sezone të suksesshme me Rubin Kazanin.
