Lëvizja ‘Revolta’ protestoi para Kuvendit të Kosovës me kërkesën për shfuqizimin e Ligjit për Shtetësinë dhe heqjen e nenit 155 nga Kushtetuta.
Protestuesit kërkuan heqjen e këtij ligji dhe kërkuan bashkimin e deputetëve për ndryshime kushtetuese me qëllim shfuqizimin e nenit 155, që sipas tyre ua mundëson serbëve të marrin shtetësinë e Kosovës më lehtë sesa që iu duhet kosovarëve të pajisen me shtetësinë e Shqipërisë. Rilind Kuçi nga Lëvizja Revolta mbajti një fjalim para Kuvendit të Kosovës ku shpalosi tre kërkesat e tyre.
“Shtrimin e presionit mbi qeverinë për publikimin e numrit të saktë të serbëve që e kanë fitu shtetësinë e Kosovës që nga ligji i ri, shfuqizimin e ligjit të ri për shtetësinë pasi që konsiderojmë që ky ligj ia përshpejton dhe lehtëson procedurat serbëve që të fitojnë shtetësinë e Kosovës dhe shfuqizimin e nenit 155 prej Kushtetutës i cili i jep të drejt serbëve të cilët kanë qenë banorë në vitin 1998 me fitu shtetësinë e Kosovës” – ishin tre kërkesat të cilat i shpalosi Rilind Kuçi nga Lëvizja Revolta.
Meqenëse për ndryshime kushtetuese duhen dy të tretat e dyfishta në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pra 80 deputetë shqiptarë dhe 14 deputetë nga minoritetet tjera, Kuçi kërkoi që deputetët e zgjedhur t’i bashkëpunojnë me deputetët serbë për shfuqizimin e ligjit për shtetësinë. “Ajo karrige që e kanë marrë aty është plotë përgjegjësi, nuk është privilegj.
Prandaj, na i bëjmë thirrje deputetëve që nëse e duan këtë vend, të marrin përgjegjësi për shfuqizimin e ligjit e heqjen e nenit. Le të bëhen krejt bashkë, pozitë e opozitë le ta shfuqizojnë këtë nen e këtë ligj. Le të bëhen bashkë e le të flasin edhe me serbë e le t’i bindin, sikur qysh po i bindin e qysh i kanë bindur kur e kanë votu ligjin, le t’i bindin edhe për me shfuqizu ligjin.
Le t’i bindin, qysh i bindin çdo herë kur kanë interes për veten” – tha Kuçi nga Lëvizja ‘Revolta’. Sipas tij, për t’u bërë ndryshime kushtetuese propozimet mund të bëhen nga Presidenti, Kryeministri ose së paku 30 deputetë, ndërsa bëri thirrje që kushdo që e merr detyrën e kryeministrit ta vendos në votim ndryshimin kushtetues për heqjen e nenit 155 prej Kushtetutës.
“Ndërkohë Ligjin për Shtetësinë sot munden me heq, me 61 vota, vetëm e kanë dëshirë e vullnet me heq.” – tha Kuçi. Ai tregoi se protesta e radhës do mbahet në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit ku ftoi qytetarët që të bashkëngjiten, ndërsa deputetëve u kërkoi që të ushtrojnë presion mbi Qeverinë.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të kuptuar se sa serbë kanë marrë shtetësinë e Kosovës që nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Shtetësinë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më , ka reaguar ndaj deklarimeve të ditëve të fundit për Ligjin për Shtetësinë e Kosovës, duke thënë se neni 31 i këtij ligji nuk paraqet dispozitë të re dhe se ai buron nga Kushtetuta e Kosovës, përkatësisht nga neni 155, i cili derivon nga Pakoja e Ahtisaarit.
Në një konferencë për media, ai deklaronte se e drejta e paraparë në këtë nen nuk është krijuar nga Qeveria aktuale dhe nuk është futur për herë të parë me ligjin e ri.
Me nenin 31 të Ligjit për shtetësinë parashihet ndër tjera që “ministri i Ministrisë përgjegjëse për Punë të Brendshme përcakton me akt nënligjor dëshmitë dhe procedurat në bazë të të cilave vërtetohet posedimi i shtetësisë së ish-Republikës Federative të Jugosllavisë dhe banimi i përhershëm në Kosovë më datën ”.
Ndërkaq me neni 155 të Kushtetutës përcaktohet që “Republika e Kosovës ua njeh të drejtën në shtetësinë e Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që ata kanë, të gjithë qytetarëve të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës me datën , dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë”.
Ai shtoi se dispozita në fjalë ua njeh shtetësinë e Kosovës qytetarëve të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë që kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më , si dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë.
Përkundër kritikave nga PDK-ja dhe LDK-ja, Kuvendi i Kosovës në seancën e 23 prillit 2026 kishte miratuar Ligjin për shtetësinë. 69 deputetë votuan për, dy ishin kundër dhe asnjë abstenim. Opozita e atëhershme nuk kishte marrë pjesë fare në votim. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, para se të hidhej ky ligj në votim, kërkoi që mos të votohet.
“Ky ligj rrezikon sigurinë e brendshme të Kosovës” – kishte thënë ajo. Musliu ishte shprehur se nuk kanë pasur mundësi të punojnë me seriozitet në Komision për shkak se është projektligji është sjellë me procedura të përshpejtuara.
Edhe Jehona Lushaku Sadriu, shefja e asokohshme e Grupit Parlamentar të LDK-së, pati thënë se nuk mund ta votojnë ligjin për shkak se ka nene që nuk janë të harmonizuara me standardet e BE-së.
