Vincent Kompany e ka bërë të qartë se objektivi kryesor i Bayern Munichut në sezonin e ri është fitimi i Ligës së Kampionëve. Pas një sezoni historik, ku bavarezët fituan Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, trajneri belg kërkon të kompletojë suksesin edhe në Evropë. Përpara miqësores ndaj Aston Villës, Kompany pranoi se do të jetë e vështirë të përmirësohet sezoni i kaluar.
“Është e vështirë të bëhesh edhe më i mirë. Nuk ka të bëjë vetëm me trofetë që kemi fituar, por edhe me numrin e golave dhe ndeshjeve që kemi fituar”, deklaroi ai. Megjithatë, tekniku belg nuk la asnjë dyshim për synimin kryesor të skuadrës. “Tani për tani, po them se qëllimi ynë është të fitojmë Ligën e Kampionëve, nuk ka dyshim për këtë”, u shpreh Kompany.
Ai shtoi se gjatë sezonit fokusi do të jetë gjithmonë te ndeshja e radhës. “Për të fituar Bundesligën, Kupën dhe Ligën e Kampionëve, na duhet e gjithë skuadra në formë dhe e shëndetshme”, përfundoi trajneri i Bayernit.
