Premier League vazhdon të dëshmojë se nuk është vetëm një nga kampionatet më të forta në botë, por edhe një industri në një tjetër nivel financiar. Rikthimi në elitën e futbollit anglez mund të sjellë përfitime financiare të jashtëzakonshme për një klub.
Sipas analizës së Deloitte, një skuadër e promovuar nga Championship pritet të sigurojë të paktën 205 milionë paund të ardhura shtesë gjatë tre sezoneve të ardhshme, ndërsa kjo shifër mund të arrijë deri në rreth 365 milionë paund nëse klubi arrin të mbijetojë në Premier League gjatë sezonit të parë. Kjo tregon qartë se sa e madhe është fuqia ekonomike e kampionatit anglez.
Një klub që siguron vetëm promovimin në Premier League mund të përfitojë financiarisht në nivele që në shumë liga të tjera janë të rezervuara për klubet që fitojnë titullin kampion ose avancojnë në fazat e fundit të kompeticioneve evropiane. Në Itali, për shembull, situata është dukshëm ndryshe. Interi që është shpallur kampion i ligës ka fituar rreth 16 milionë euro.
Përfitimet financiare nga fitimi i Serie A nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt me të ardhurat që gjeneron një klub nga promovimi në Premier League, pasi në Itali shpërndarja e të ardhurave varet nga disa komponentë, përfshirë të drejtat televizive, rezultatet sportive dhe pjesëmarrjen në kompeticionet evropiane.
Në Premier League, megjithatë, edhe lufta për mbijetesë ka një vlerë të jashtëzakonshme ekonomike. Diferenca është aq e madhe sa që për një klub anglez, ngjitja në Premier League mund të jetë financiarisht më transformuese sesa fitimi i një kampionati kombëtar në shumë vende të tjera.
