Valbona Gjinovci dhe Fatmir Muhaxheri shprehen me krenari për figurën emblematike të hendbollit të Kosovës, të ndjerin Izet Gjinovci, mbi 2 dy dekada sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës. Të dy vlerësojnë lart kontributin e tij ndër vite, duke e cilësuar si promotor të ndërkombëtarizimit të hendbollit dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të këtij sporti.
Fatmir Muhaxheri, ish-hendbollist dhe aktualisht selektor i gjeneratave të reja të Kombëtares së Kosovës, theksoi se një personalitet si Izet Gjinovci i mungon shumë hendbollit të Kosovës. “Izet Gjinovci ka bërë punë të mëdha për hendbollin. A i ishte një emblemë e këtij sporti dhe dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërkombëtarizimin e tij.
Po ashtu, ai ishte një nga njerëzit që e mbajti gjallë frymën dhe zhvillimin e hendbollit ndër vite. Sidomos në kohët më të vështira dhe të sakrificës, nuk kurseu asgjë për të mirën e hendbollit”, tha Muhaxheri për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ndërkaq, Valbona Gjinovci shprehet me emocione për bashkëshortin e saj, të ndjerin Izet Gjinovci.
Ajo thekson se ai jetoi me këtë sport deri në frymën e fundit. “5 gusht, përvjetori i dytë i ikjes tinzare të Izit nga kjo bote. 2 vjet që zemra ime mëson çdo ditë të jetojë pa të, me mungesën e tij, por nuk ka mësuar kurrë ta harrojë. Për më shumë se 4 dekada i shërbeve sportit të Kosovës me nder, nuk kurseve asnjëherë veten tënde.
Puna dhe kontributi yt u bënë pjesë e historisë së sportit dhe u vlerësuan me dekorate nga presidentja e Republikës së Kosovës, një mirënjohje e vonuar por shumë e merituar. Sot në përvjetorin e dytë të ndarjes tënde lutem që të prehesh në paqe të përjetshme.
Unë do të vazhdoj të jetoj me dashurinë që me le, me krenarinë e njeriut që ishe dhe me bindjen se emri yt do jetojë përherë në historinë e hendbollit, të sportit, të familjarëve e të miqve që të deshën e të respektuan. Përherë me ty Izi im derisa Zoti të na bashkoje bashkë… Dashuria nuk shuhet në largimin, ajo jeton në mall, kujtime e lutje.
Pusho i qetë derisa të takohemi sërish zemra ime” , shprehet me lot në sy Valbona. Izet Gjinovci ka qenë edhe shumë vite kryetar dhe drejtor i klubit të hendbollit Prishtina.
