Juristi Gylsen Zhllima komentoi zhvillimet politike të javëve të fundit në Shqipëri, protestën popullore, plani për Reformën Territoriale dhe sjelljen e qeverisë. Ai u shpreh se sa më shumë organizohet dhe reziston protesta në bulevard, aq më shumë rritet zemërimi ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Avokati denoncoi sjelljen abuzive të qeverisë, duke sulmuar biznesmenët, grabitur pronat, gjobitur qytetarët dhe për projektet e paligjshme dhe skandaloze. “Sa më shumë organizohet protesta, rritet edhe zemërimi ndaj Ramës. Kemi parë se si një biznesmen tha se ishte nxituar me projektin e portit të Durrësit apo kemi parë se si u anulua projekti për aeroportit të Vlorës.
Kjo qeveri po prodhon statistika fasadë. Ai mund të qeverisë siç ka bërë për 13 vite, me vendimmarrje abuzive, duke dëbuar shqiptarët, duke sulmuar biznesmenët, duke prishur pronat e tyre, kjo tregon arrogancë dhe jo reflektim”, tha Zhllima në një intervistë në studion e televizionit News24 ditën e sotme.
Më tej juristi argumentoi se Rama po shfaq ende arrogancë dhe vijon të abuzojë me vendimmarrjet e tij, por në gropën që ka hapur për të tjerët, shtoi se do të binte vetë kreu i mazhorancës. Gjithashtu denoncoi edhe fushatën e gjobave të Policisë dhe të institucioneve shtetërore. “Ai po tregon ende një arrogancë dhe nuk ka reflekturar. Po bëre gropën e tjetrit do të biesh vetë brenda.
Shqiptarët po jetojnë në kufijtë e mbijetesës, Rama duhet t’i jepte shpresë dhe jo t’i zhyste shqiptarët në gjoba masive. Ai duhet të ndajë abuzimin me detyrën. Çdo person që mbron pushtetin e Ramës abuzon me ligjin. Kadastra është ndër institucionet më të kalbura në këtë vend dhe që ka bërë gjakderdhje, korrupsion dhe varfëri, kush mban përgjegjësi për këtë?” , tha ai.
I pyetur për Reformën Territoriale, Zhllima argumentoi se ajo është e dështuar, ndërsa mbështeti protestën e banorëve të bashkive që po shkrihen, edhe pse ngriti dyshime se mund të ishte një lëvizje e qeverisë për të shpërqendruar protestën në Tiranë. “Reforma Territoriale tregoi dështimin e politikës së Ramës që nga 2013.
Qëllimi i saj është shpopullimi i Shqipërisë dhe përqendrimi i pushtetit nga kryeministri. Si pasojë e kësaj reforme vijnë edhe protestat në bashkitë e qyteteve. Uroj që protesta në shtator të ketë pjesëmarrje të lartë dhe besoj se to ketë” , u shpreh juristi.
