Përfundon rehabilitimi i rrugës R124 në Kamenicë, investimi mbi 3.2

0%

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, dhe kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, kanë përuruar përfundimin e projektit për rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale R124, në segmentin Shipashnicë–Desivojcë–Terstenë.

Projekti ka kushtuar rreth 3.256 milionë euro dhe përfshin rehabilitimin dhe asfaltimin e rreth 10 kilometrave të rrugës, me gjerësi afërsisht gjashtë metra. Kurti tha se përfundimi i kësaj rruge do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe bizneseve, ndërsa e cilësoi atë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në këtë pjesë të Kamenicës.

“Mundësohet qarkullimi më i shpejtë, më i lehtë i qytetarëve edhe i bizneseve. Është rrugë e rëndësishme për bashkatdhetarët tanë, është rrugë e rëndësishme për bizneset dhe për zhvillimin ekonomik, gjithashtu është e rëndësishme edhe për turizmin e këtyre zonave të bukura të komunës së Kamenicës”, tha Kurti. Sipas tij, punimet janë përfunduar brenda 195 ditëve pune nga operatori ekonomik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“R124 u rehabilitua dhe u asfaltua në gjatësinë e gjithmbarshme prej rreth 10 kilometra, me gjerësi prej afër 6 metra, dhe e cila e lidh Shipashnicën me Desivojcën edhe Terstenën”, tha kryeministri në detyrë. Kurti bëri të ditur se në kuadër të projektit është realizuar edhe shtrimi i shtresave të asfaltit dhe vendosja e sinjalizimit rrugor.

“Së pari është shtruar ajo shtresa bazike BZH 22, me trashësi rreth 7 centimetra, dhe më pastaj shtresa përfundimtare AB 11, gjithsej 11 centimetra. Është vendosur edhe sinjalizimi që të ketë siguri në trafik, edhe të qarkullimit të qytetarëve”, deklaroi ai. Ai e vlerësoi përfundimin e projektit si një investim të rëndësishëm për banorët e kësaj zone.

“Prandaj, është gëzim, është lajm i mirë dhe urime të gjithëve!”, u shpreh Kurti. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi