Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar pas shpalljes së gjendjes emergjente nga Komuna e Podujevës për shkak të situatës së rënduar me mbeturinat, duke kundërshtuar akuzat e kryetarit të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, për keqmenaxhim.
“Pastrimi” ka deklaruar se problemet financiare të Njësisë Operative në Podujevë nuk kanë lindur së fundmi, por janë pasojë e një gjendjeje të krijuar ndër vite. Sipas kësaj ndërmarrjeje, një nga arsyet kryesore është mosndryshimi i tarifës për grumbullimin e mbeturinave që nga viti 2008.
“Përkundër rritjes enorme të kostove të operimit, karburanteve, pjesëve rezervë, shpenzimeve për deponi, mirëmbajtjes, pagave dhe të gjitha shpenzimeve të tjera, tarifa vazhdon të jetë vetëm 4.70 euro me TVSH, apo rreth 3.8 euro neto”, ka deklaruar kompania.
Sipas KRM “Pastrimi”, asnjë ndërmarrje publike apo private nuk mund të funksionojë në kushte kur shpenzimet rriten vazhdimisht, ndërsa të hyrat mbeten të pandryshuara për gati dy dekada.
Pasi komuna shpalli gjendje të jashtëzakonshme, reagon kompania Natyra: Po vazhdojmë pastrimin e mbeturinave në fshatrat e Podujevës Kompania ka bërë të ditur se Njësia Operative në Podujevë nuk ka arritur ndër vite të mbulojë vetëm nga të hyrat e saj pagat e punëtorëve dhe shpenzimet operative, ndërsa humbjet janë mbuluar nga njësia qendrore në Prishtinë.
“Pastrimi” ka akuzuar gjithashtu Komunën e Podujevës se nuk ka përmbushur obligimet financiare ndaj ndërmarrjes për investimet e realizuara, përfshirë objektin e ri, si dhe ka thënë se ndërmarrjes i janë marrë konsumatorët dhe mundësia për të gjeneruar të hyra.
Në reagim, kompania ka ngritur dyshime se shpallja e gjendjes emergjente mund të hapë rrugë për kontrata emergjente dhe angazhimin e operatorëve privatë me mjete publike. “KRM ‘Pastrimi’ nuk do të lejojë që paaftësia për të adresuar problemet shumëvjeçare financiare të fshihet pas akuzave ndaj një ndërmarrjeje publike.
Po ashtu, nuk do të lejojmë që punëtorët tanë të paguajnë çmimin e vendimeve politike”, thuhet në reagim. Ndërmarrja ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e saj, të punëtorëve dhe interesit publik, duke theksuar se çdo vendim që cenon të drejtat e saj do të kundërshtohet në institucionet kompetente.
