Një ngjarje tragjike e ka tronditur futbollin brazilian. Futbollisti i ri i São Paulos, Nicolas Bosshardt është nën hetim pasi dyshohet se e ka përplasur për vdekje një këmbësor gjatë drejtimit të automjetit. Ndërkohë, autoritetet po e hetojnë edhe mundësinë që 19-vjeçari të ketë qenë pjesë e garave të paligjshme me makina në momentin e aksidentit..
Sipas raportimeve nga mediat braziliane, aksidenti ndodhi gjatë natës, kur automjeti i drejtuar nga futbollisti anësor e goditi një burrë 84-vjeçar, i cili e humbi jetën në vendngjarje. Pas incidentit, policia i hapi menjëherë hetimet për t’i zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Hetuesit po i verifikojnë dëshmitë dhe provat e mbledhura, të cilat sugjerojnë se në zonë mund të ishin zhvilluar gara të paligjshme shpejtësie. Për këtë arsye, futbollisti është marrë nën hetim, megjithëse deri në këtë fazë nuk është ngritur ende një akuzë zyrtare ndaj tij.
Klubi i São Paulos nuk e ka dhënë ende një deklaratë të detajuar për rastin, ndërsa pritet që autoritetet t’i publikojnë rezultatet e hetimeve në ditët në vijim. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Brazil, ku çështja e garave të paligjshme me makina vazhdon të jetë një problem serioz për sigurinë rrugore.
