Qumështorja Vita ka reaguar pas deklarimeve të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Emir Muja, gjatë një konference për media, duke kërkuar publikimin e rezultateve të analizave të mostrave të produkteve të saj.
Përmes një reagimi në Facebook, Vita ka thënë se ministri gjatë konferencës ka paraqitur të dhëna që, sipas kompanisë, mund të gjenden në Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK).
“Ministri Muja gjatë konferencës për media deklaroi disa çështje të cilat lehtësisht gjinden në Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe AUVK. Vetëm i kishte përmbledhur, por nuk tregoi asgjë të re”, thuhet në reagim. Sipas kompanisë, ajo që nuk u publikua gjatë konferencës ishin rezultatet e analizave të mostrave, për të cilat Vita thotë se i ka pritur prej 33 ditësh.
“Rezultatet e analizave të mostrave nuk u publikuan! Ne jemi të bindur që të gjitha produktet tona janë të etiketuara në përputhje me dispozitat ligjore. Sidoqoftë, Ministria dhe AUVK duhet gjithsesi të dalin dhe t’i publikojnë rezultatet e analizave të mostrave, që tash e 33 ditë nuk po na i dërgojnë dhe tanimë janë edhe në shkelje ligjore”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Vaj palme e përbërës të padeklaruar në etiketë – gjetjet kryesore të prezantuara nga AUV-i pas kontrollit në sektorin e qumështit Vita i ka bërë thirrje Ministrisë dhe AUVK-së që t’i publikojnë rezultatet e analizave. “Ne ftojmë Ministrinë dhe AUVK, që menjëherë t’i publikojnë rezultatet e analizave”, thuhet më tej.
Kompania ka kundërshtuar edhe pretendimet që, sipas saj, janë bërë lidhur me furnizimin me ujë dhe numrin e punëtorëve. “Për sa i përket pretendimeve të tjera shpifëse për çështjen e furnizimit me ujë dhe numrin e punëtorëve, e ftojmë ministrin që të konsultohet paraprakisht me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, sepse jemi të pajisur me Leje Ujore dhe Impiant për Trajtimin e Ujërave të Ndotura, ndërkaq për numrin e punëtorëve, të konsultohet me ATK-në, sepse numrin e punëtorëve e kemi të deklaruar në ATK dhe emërtimi i kompanisë tonë është Abrazen LLC”, thuhet në reagim.
Vita ka deklaruar gjithashtu se produktet e saj janë prodhuar me qumësht të freskët nga fermerët kosovarë. “Ne garantojmë që të gjitha produktet e brendit ‘VITA’ janë prodhim 100% qumësht i freskët i fermerëve kosovarë. Ne mburremi që jemi lider në industrinë e qumështit”, thuhet në reagim.
Në fund, kompania i ka kërkuar ministrit që të ndalë, siç i quan ajo, “shpifjet” dhe të verifikojë të dhënat para deklarimeve publike. “Ftojmë ministrin që t’i ndalë shpifjet, të mirë-informohet para se të dalë në konferenca për shtyp dhe të mos publikojë të dhëna të manipuluara, në mënyrë tendencioze, sepse kështu po e fuqizon importin”, thuhet në reagim.
Vita e ka përmbyllur reagimin me mesazhin: “Minister, duaje tënden!”. / Telegrafi
