Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues edhe në rigjykimin e katërt për rastin e vrasjes së N.S., që ndodhi në qendër të Prishtinës në nëntor të vitit 2017. Të akuzuarit Arlind Ahmeti dhe Agron Vllasaliu janë dënuar me nga 17 vjet burgim , ndërsa në rigjykimin e tretë secili prej tyre ishte dënuar me nga 16 vjet burgim .
Aktgjykimi u shpall të martën nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësi Ilir Foniqi dhe anëtarët Fatime Dermaku e Ertan Sejfulla. Sipas vendimit të Gjykatës, Ahmeti dhe Vllasaliu janë shpallur fajtorë për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, e kryer me dashje eventuale” , për të cilën secili është dënuar me nga 15 vjet burgim .
Po ashtu, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje” , secili është dënuar me nga 2 vjet e gjashtë muaj burgim . Në bazë të këtyre dënimeve, Gjykata u ka shqiptuar të dyve dënim unik prej 17 vjetësh burgim . Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
