Që nga eliminimi i kombëtares gjermane nga Kupa e Botës, është folur shumë për Xhoshua Kimish dhe të ardhmen e tij me përfaqësuesen. Tashmë, ylli i Bajernit ka folur për ndryshimet nën drejtimin e trajnerit të ri, Jurgen Klopp. Në një intervistë për edicionin koreano-jugor, Kimish zbuloi se “ende nuk kam folur me Klopin”.
Megjithatë, Kimish nuk e konsideron të sigurt se do të jetë titullar i padiskutueshëm nën drejtimin e trajnerit të ri. Ish kapiteni i Gjermanisë u shpreh me kujdes: “Nëse do të kem mundësinë të punoj me të, dua të arrij rezultate për të cilat tifozët e futbollit gjerman mund të jenë krenarë.” Këto deklarata tregojnë qartë edhe një gjë tjetër: 31 vjeçari nuk po mendon aspak të tërhiqet nga kombëtarja.
Mes atyre që kishin kërkuar largimin e tij pas dështimit të fundit në Kupën e Botës ishte edhe Dietmar Haman. Vetë Kimish kishte deklaruar menjëherë pas eliminimit se dëshironte të vazhdonte të luante për Gjermaninë, ndërsa fjalët e tij të fundit e konfirmojnë edhe një herë këtë qëndrim. Mbetet ende e paqartë se në cilin pozicion do të luaj.
Gjatë prezantimit të tij si trajner i ri i Gjermanisë, Jurgen Klop nuk dha detaje, por sipas raportimeve të mediave, ai e sheh Kimishin në të ardhmen në qendër të mesfushës dhe jo në krahun e djathtë. Vetë Kimish ndihet më komod në qendër të fushës, rol që e mbulon edhe te Bajerni.
Aktualisht, 31 vjeçari ndodhet me kampionët gjermanë në turneun aziatik në Korenë e Jugut, vendlindjen e mbrojtësit Min Zhae Kim. Aktualisht, ai është i fokusuar plotësisht te Bajerni, ndërsa pret të nis një kapitull të ri me kombëtaren nën drejtimin e Klopit. Kimish pati fjalë shumë të mira për shokun e tij të skuadrës. “Është fantastike që Min Zhae luan në Mynih.
Ai ka forcën fizike dhe cilësitë e nevojshme për të udhëhequr mbrojtjen tonë”, tha mesfushori. Më pas, duke qeshur, ai shtoi: “Unë e quaj gjithmonë ‘monstra e mbrojtjes”.
