Lista Serbe ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër vendimit të Gjykatës Supreme AA.nr.29/2026, duke pretenduar se me këtë vendim nuk është mbrojtur në mënyrë funksionale institucioni i ulëseve të rezervuara parlamentare për komunitetin serb.
Ankesa lidhet me kontestimin e mandatit të Nenad Rashiqit në Kuvendin e Kosovës, pasi Lista Serbe pretendon se përfaqësimi i komunitetit serb duhet të përcaktohet vetëm nga votat e pjesëtarëve të këtij komuniteti. Kjo ankesë po vjen dy ditë para seancës konstituive që do të mbahet më , apo tri ditë para përfundimit të afatit për konsituimin e Kuvendit.
Në njoftimin e saj, Lista Serbe thekson se ankesa nuk është bërë për të mbrojtur një subjekt politik apo një mandat të vetëm parlamentar, por, sipas saj, për të mbrojtur të drejtën kushtetuese të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë për përfaqësim autentik politik.
“Kjo ankesë kushtetuese nuk është dorëzuar për të mbrojtur një subjekt politik apo një mandat të vetëm parlamentar. Thelbi i saj është mbrojtja e të drejtës kushtetuese të popullit serb, por edhe të komuniteteve të tjera joshumicë, për përfaqësim autentik politik, që përbën një nga parimet themelore mbi të cilat mbështetet pozita kushtetuese e komuniteteve joshumicë në Kosovë”- Sipas Listës Serbe, kjo e drejtë përbën një nga parimet themelore mbi të cilat mbështetet pozita kushtetuese e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Në ankesë, Lista Serbe pretendon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe Gjykata Supreme, nuk i janë përgjigjur çështjes kryesore kushtetuese, nëse qëllimi kushtetues i ulëseve të rezervuara për komunitetin serb ruhet në rastet kur zgjedhja e përfaqësuesve të këtij komuniteti, sipas tyre, përcaktohet nga votat e qytetarëve që nuk i përkasin komunitetit serb.
Lista Serbe, pas zgjedhjeve kishte dorëzuar ankesë në PZAP e më pas në Supreme, me pretendimin se partia e Nenad Rashiqit(ZSPO) arriti një numër votash në komuna, ku sipas regjistrimit të popullsisë së Kosovës të vitit 2024 komuniteti serb praktikisht nuk ekziston. Ankesa ishte refuzuar në dy instanca.
KQZ në përgjigje ndaj ankesës së Listës Serbe kishte deklaruar se pretendimet e saj nuk përbëjnë bazë ligjore për kontestimin e vlefshmërisë së votave apo rezultatit zgjedhor.
Kështu, PZAP e ka vlerësuar të pabazuar ankesën e Listës Serbe me arsyetimin se pretendimet e saj janë të pabazuara, për faktin se e drejta e votës ka dy parime kryesore – barazinë dhe fshehtësinë e saj dhe lista e votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike të votuesve për shkak se do të mund të cenohen këto parime.
Në zgjedhejt e qershorit, nga 10 ulëset për komunitetin serb, 9 i ka fituar Lista Serbe dhe një e ka fituar Nenad Rashiq. Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 7 gusht, procesi kushtetues hyn në fazën e zgjedhjes së presidentit, për të cilin Kushtetuta parasheh një afat 60-ditor. Në rast se edhe presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon sërish në zgjedhje.
