Vazhdon telenovela rreth të ardhmes së Kristjan Asllanit, i cili pritet të largohet nga Interi gjatë kësaj vere. Në Itali kanë zbuluar detajet e fundit rreth zërave që e shohin atë duke u larguar së shpejti nga zikaltrit, që e kanë lënë jashtë grupit për turneun përgatitor të verës.
Në ditët e fundit është folur gjerësisht për mundësinë e transferimit të Asllanit tek Al Itihad në Arabinë Saudite. Klubi në fjalë ka afruar një mesfushor me tiparet e tij, por duket se mbetet i interesuar edhe për futbollistin shqiptar, i cili i është propozuar si “paketë” për transferimin e Musa Diabi tek Interi.
Mediat italiane kanë bërë të ditur sot se ndonëse Asllani ka prioritet qëndrimin në Europë, për herë të parë ai është përgjigjur pozitivisht ndaj mundësisë për t’u transferuar tek Al Itihad gjatë verës.
Kësisoj, palët mund të vazhdojnë negociatat për lëvizjen e mesfushorit drejt Arabisë Saudite, ku ai do të ketë mundësinë të aktivizohet rregullisht pas një sezoni ku minutazhi i tij në fushë la për të dëshiruar me skuadra si Torino e Beshiktash.
