Fëmija shpërthen në të qara? Psikologët zbulojnë çfarë fshihet pas

0%

Shumë prindër e kanë përjetuar këtë skenë: i kërkojnë fëmijës të vijë për të ngrënë darkë, të mbyllë tabletin ose të bëjë detyrat dhe, papritur, ai shpërthen në të qara. Reagimi duket i ekzagjeruar dhe pyetja që lind është gjithmonë e njëjta: “Çfarë thashë gabim?” Sipas psikologëve, përgjigjja shpesh nuk gjendet te fjalët, por diku tjetër. Psikologu klinik Lawrence J.

Cohen shpjegon se prindërit priren të përqendrohen te momenti kur fëmija humbet kontrollin, ndërkohë që ai është vetëm fundi i një procesi. Fillimisht ndodh një stimul, më pas sistemi nervor i fëmijës mbingarkohet dhe vetëm në fund shfaqet shpërthimi emocional.

Në atë moment, përpjekjet për ta bindur me logjikë zakonisht nuk funksionojnë, sepse truri i tij nuk është më në gjendje të arsyetojë. Por ka edhe një detaj tjetër që kalon shpesh pa u vënë re: fëmijët nuk reagojnë vetëm ndaj asaj që dëgjojnë, por edhe ndaj asaj që shohin tek prindërit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Tensioni në fytyrë, nofulla e shtrënguar, supet e ngritura apo frymëmarrja e shpejtë mund t’u transmetojnë atyre ankth, edhe nëse prindi flet me një ton të qetë. Ekspertët e quajnë këtë proces bashkërregullim emocional (co-regulation). Përpara se të mësojnë të menaxhojnë emocionet e tyre, fëmijët “marrin hua” qetësinë ose stresin e të rriturve.

Me fjalë të tjera, sistemi nervor i tyre lexon gjendjen emocionale të prindit shumë më shpejt sesa kupton fjalët që ai thotë. Për këtë arsye, psikologët sugjerojnë që prindërit të mos jenë si një termometër që reflekton emocionet e momentit, por si një termostat që ruan qetësinë edhe kur situata nxehet.

Kur prindi arrin të rregullojë fillimisht emocionet e veta, edhe fëmija ka më shumë gjasa të qetësohet. Studime të ndryshme në psikologji tregojnë se ndryshime të vogla në mënyrën se si reagojnë prindërit mund të kenë ndikim të madh në sjelljen e fëmijëve.

Nuk është e nevojshme të ndryshohet personaliteti i tyre brenda natës; shpesh mjafton që një situatë e vetme të menaxhohet ndryshe për të ndryshuar dinamikën mes prindit dhe fëmijës. Në fund, mesazhi i ekspertëve është i qartë: kur një fëmijë shpërthen, përpara se të pyesni “Çfarë bëra gabim?”, ndaloni për një moment dhe shikoni gjendjen tuaj emocionale.

Shpesh, qetësia që fëmija ka nevojë të gjejë, fillon pikërisht nga prindi.

Burimi: Bota Sot