Austria ka regjistruar temperaturën më të lartë në historinë e saj, pasi termometri arriti në 40.8°C të dielën në stacionin meteorologjik Vjenë-Stammersdorf. Sipas shërbimit meteorologjik GeoSphere Austria, kjo temperaturë ka thyer rekordin e mëparshëm kombëtar prej 40.5°C, i vendosur më në stacionin Bad Deutsch-Altenburg, në lindje të vendit.
Rekordi i ri vjen pas një periudhe të pazakontë me temperatura ekstreme dhe thatësirë të theksuar në Austri. Muaji korrik u karakterizua nga nxehtësi rekord, mungesë e reshjeve dhe një deficit që në disa zona ka arritur deri në 90% krahasuar me nivelet normale. Ndikimet e valës së të nxehtit janë vërejtur edhe në bujqësi.
Sipas meteorologëve, kajsitë këtë vit kanë nisur të piqen rreth 20 ditë më herët se mesatarja e regjistruar gjatë periudhës 1961-1991, një tjetër tregues i ndryshimeve në ciklet natyrore të shkaktuara nga ngrohja globale.
“Nuk është thjesht nxehtësi, ky mot është një katastrofë” , tha për AFP Nasser Dis, një pronar restoranti 60-vjeçar në Vjenë, duke treguar se temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në jetën e përditshme dhe aktivitetet e bizneseve.
Austria kishte përjetuar gjithashtu gjatë kësaj vere valën më të fortë të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë për muajin qershor, me temperatura që tejkaluan rekordet e mëparshme me një mesatare prej 1.4°C. Shkencëtarët paralajmërojnë se rritja e temperaturave ekstreme lidhet me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga emetimet e gazrave serrë.
Sipas tyre, ngrohja globale po rrit jo vetëm shpeshtësinë, por edhe intensitetin e valëve të të nxehtit dhe fenomeneve të tjera ekstreme të motit.
