Egnatia ka pësuar humbje me rezultat 3-1 si mysafir ndaj Shamrock Rovers, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës, duke e komplikuar rrugën drejt “play-off-it”. Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një pjesë të parë të ekuilibruar, por u dorëzuan pas pushimit, kur skuadra irlandeze dominoi plotësisht dhe realizoi dy gola të shpejtë.
Shamrok Rovers kaloi në epërsi në minutën e 29-të, kur Graham Burke u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi gjyqtari akordoi penallti për vendasit. Egnatia reagoi dhe në minutën e 40-të arriti të barazonte pas ndërhyrjes së VAR-it. Fillimisht u akordua penallti për kampionët shqiptarë, ndërsa goditja e Guillem Jaime u ndal nga portieri.
Megjithatë, në vazhdim të aksionit, Aaron Greene devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë Egnatias golin e barazimit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1. Në pjesën e dytë, Egnatia nuk arriti të ruante ritmin dhe u ndëshkua shpejt.
Në minutën e 55-të, Roberto Lopes realizoi për 2-1, në një gol që u shoqërua me protesta nga futbollistët e Egnatias, të cilët pretenduan për faull në aksion. Vetëm dy minuta më vonë, pas një goditjeje nga këndi, Aaron Greene shënoi golin e tretë për Shamrok Rovers, duke vulosur rezultatin 3-1.
Pas golit të tretë, skuadra irlandeze krijoi edhe disa raste të tjera të pastra për të thelluar avantazhin. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet javën e ardhshme, ku kampionët e Shqipërisë do të synojnë të përmbysin disavantazhin prej dy golash për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit në fazën “play-off” të Ligës së Evropës.
