Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke i kërkuar sqarime për pretendimet që lidhen me qeverisjen e tij.
Sveçla tha se familja e Ramës nuk duhet të jetë pjesë e debatit politik, por kërkoi që ajo të mos përdoret si mburojë për t’iu shmangur pyetjeve për çështje që lidhen me funksionin publik.
Ai kërkoi nga Rama të sqarojë pretendimet për korrupsion, legalizime të dyshuara si të paligjshme dhe përmbajtjen e mesazheve të publikuara, ndërsa theksoi se Prokuroria duhet ta zbardhë rastin deri në fund. “Llogaridhënia nuk është linçim. Për pretendimet që lidhen me ty dhe qeverisjen tënde, përgjigju”, ka shkruar Sveçla. Postimi i plotë: PËRPARIM, MOS U VIKTIMIZO. SQAROHU.
Përparim, familja jote nuk është dhe nuk duhet të jetë pjesë e debatit politik. Për këtë nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Por as familja nuk mund të përdoret si mburojë për t’iu shmangur pyetjeve që lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit tënd publik.
Asnjë asamblist i LVV-së nuk ka publikuar asnjë mesazh ku flitet për familjen tënde apo për persona të tjerë civilë që nuk kanë lidhje me çështjet e ngritura. Prandaj, mos u viktimizo dhe mos e zhvendos debatin aty ku nuk është. Sqarohu për përmbajtjen e mesazheve të publikuara. Sqarohu për pretendimet për korrupsion.
Sqarohu për legalizimet e pretenduara si të paligjshme dhe për rolin e bashkëpunëtorëve të tu në këto raste. Nëse pretendimet janë të pavërteta, thuaje qartë. Nëse mesazhet janë të manipuluara, thuaje qartë. Nëse ajo që pretendohet se është bërë në emrin tënd nuk ka ndodhur, thuaje qartë. Llogaridhënia nuk është linçim.
Kërkimi i përgjigjeve për dyshime serioze që lidhen me ushtrimin e pushtetit nuk është çnjerëzor. Është detyrë e opozitës dhe e çdo përfaqësuesi të zgjedhur. Prokuroria le ta bëjë punën e saj dhe ta zbardhë rastin deri në fund. Deri atëherë, asgjë nuk të pengon që publikisht të sqarohesh për pretendimet që janë ngritur ndaj teje dhe qeverisjes tënde. Familjen lëre jashtë.
Edhe ne e kemi lënë jashtë. Për pretendimet që lidhen me ty dhe qeverisjen tënde, përgjigju.
