Instituti i Kosovës për Drejtësi (KDI) përmes një komunikate për media më ka bërë të ditur se mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e dispozitave të kundërligjshme në rregulloren zgjedhore nr. 04/2026 të KQZ-së për vëzhguesit e zgjedhjeve.
KDI ka vlerësuar se këto dispozita, jo vetëm që tejkalonin ligjin, por edhe rrezikonin dobësimin e rolit të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave në monitorimin e proceseve zgjedhore, duke cenuar transparencën, llogaridhënien dhe besimin e qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve.
Vendimi i Gjykatës Supreme ka konfirmuar se të drejtat dhe detyrimet e subjekteve nuk mund të kufizohen apo zgjerohen përmes akteve nënligjore pa mbështetje të qartë në ligj. Sipas KDI ky aktgjykim vendos një standard të rëndësishëm për administrimin e proceseve zgjedhore dhe për respektimin e parimeve të ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe transparencës.
Sipas vendimit të Gjykatës këto dispozita tejkalonin ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe vendosnin kushte dhe kufizime të reja për akreditimin dhe veprimtarinë e vëzhguesve.
Këto dispozita tani të shfuqizuara i jepnin KQZ-së kompetencë për të kërkuar informacione mbi burimet e financimit të organizatave pa bazë të qartë ligjore, zgjeronin kërkesat për dokumentacion ndaj organizatave vëzhguese dhe krijonin kritere të paqarta për refuzimin e akreditimit të organizatave dhe mediave, si dhe linin hapësirë për vendimmarrje arbitrare dhe kufizonin pjesëmarrjen e akterëve të pavarur në monitorimin e zgjedhjeve.
Kjo rregullore po ashtu kufizonte pjesëmarrjen e vëzhguesve që ishin në procedurë hetimore për shkelje zgjedhore, duke cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë. Kufizimi ky që nuk vlente për komisionerët që mund të ishin në procedura hetimore.
Po ashtu kufizonte qasjen e akterëve në mbledhjet publike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndonëse karakteri publik i këtyre mbledhjeve garantohet me ligj. Ndër të tjera KDI i ka bërë thirrje gjykatës që ky aktgjykim të zbatohet pa vonesë duke harmonizuar rregulloren për vëzhguesit e zgjedhjeve me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
“KDI i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta zbatojë pa vonesë aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ky proces duhet të zhvillohet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me konsultim publik të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe akterëve të tjerë relevantë.”- thuhet në komunikatë.
