Me vetëm tri ditë deri në seancën konstituive, vëmendja mbetet te lëvizjet që pritet të ndërmarrin partitë politike. Ministrja në detyrë e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet t`u drejtojë shumë shpejt ftesa Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe subjekteve të tjera parlamentare për vazhdimin e bisedimeve politike.
Sipas Mimoza Kusari-Lilës, dialogu nuk kufizohet vetëm te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, por prioritet mbetet edhe ndërtimi i një konsensusi për zgjedhjen e presidentit. “Unë mendoj që është e qartë çfarë është e mundur të ofrohet.
Është e mundur të ofrohet diskutim e koalicion për qeverisje, ndërsa sa i përket çështjes së presidentit, është dakordimi i përbashkët i subjekteve” , ka thënë Mimoza Kusari-Lila. Analisti politik Sadik Zeqiri vlerëson për RTK, se zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë krijuar një klimë më të favorshme për vazhdimin e negociatave.
Sipas tij, Kuvendi i LDK-së e ka konsoliduar pozitën e Lumir Abdixhikut si negociator, por sprova kryesore nuk është domosdoshmërish arritja e marrëveshjes politike. “Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e saj të koalicionit dhe përfaqësuesit e komuniteteve joserbe, mund t’i sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe për formimin e qeverisë.
Por, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentit, edhe në rast se arrihet një marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike, nuk besoj se do të ketë numra të mjaftueshëm për të garantuar zgjedhjen e tij në dy raundet e para, ku Kushtetuta kërkon pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në votim, jo vetëm praninë e tyre në sallë” , Sadik Zeqiri analist poltik.
Nga ana tjetër, Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se hapësira kohore për arritjen e një marrëveshjeje politike është ngushtuar ndjeshëm. Hulumtuesi Naim Jakaj thotë se dialogu ndërmjet partive do të duhej të kishte nisur menjëherë pas caktimit të seancës konstituive. “A ka gjasa të arrihet një marrëveshje politike edhe për presidentin?
Aktualisht duket se jo” , Naim Jakaj hulumtues në IKD. Nëse ftesat e paralajmëruara shndërrohen në një marrëveshje konkrete, vendi mund të shmangë një tjetër ngërç institucional. Në të kundërtën, sfida për zgjedhjen e presidentit rrezikon të mbetet pika më e brishtë e procesit të ndërtimit të institucioneve të reja.
