Jurgen Klopp ka nisur një epokë të re te Kombëtarja e Gjermanisë dhe përzgjedhësi i ri gjerman po përgatit një revolucion me shumë ndryshime në skuadër. Mediat gjermane kanë publikuar një listë prej 57 futbollistësh që mund të jenë në planet e tij për të ardhmen, me shumë emra të rinj dhe disa prej yjeve aktualë të “Mannschaft”.
Në këtë listë është përfshirë edhe talenti me prejardhje shqiptare, Brajan Gruda. Sulmuesi anësor 22-vjeçar, i cili aktivizohet te RB Leipzig, prej kohësh konsiderohet një nga talentet më interesante të futbollit gjerman dhe tashmë ka hyrë në radarët e ekipit të parë, shkruan Welt.de.
Megjithatë, në mesin e 57 emrave të përmendur nuk shfaqen dy futbollistë të tjerë me origjinë shqiptare, që Kosova tash e një kohë është në kontakte me ta, e që luajnë në nivele të larta të futbollit gjerman: portieri Diant Ramaj, dhe sulmuesi Arijon Ibrahimovic.
Ramaj, i cili ka kaluar nëpër akademitë e futbollit gjerman dhe ka qenë pjesë e ekipeve të grupmoshave të Gjermanisë, shihet si një portier me potencial të madh. Ai aktualisht është pjesë e Borussia Dortmundit me kontratë dhe në të kaluarën ka marrë vëmendje për paraqitjet e tij në Bundesligë.
Ndërkohë, Arijon Ibrahimovic, talenti ofensiv i Bayern Munichut, është një tjetër emër që ka tërhequr vëmendje në Gjermani. 20-vjeçari është pjesë e klubit bavarez dhe ka qenë pjesë e ekipeve të të rinjve të Gjermanisë. Ai këtë sezon do të jetë pjesë e klubit gjerman pas huazimeve te Lazio dhe Heidenheim.
Përveç Grudës, lista e Kloppit përfshin shumë emra të mëdhenj të futbollit gjerman, si Joshua Kimmich, Florian Wirtz, Jamal Musiala, Kai Havertz, David Raum, Nico Schlotterbeck dhe Jonathan Tah, të cilët pritet të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e projektit të ri.
Klopp, i njohur për besimin ndaj lojtarëve të rinj dhe zhvillimin e talenteve, ka paralajmëruar se dera e kombëtares gjermane do të jetë e hapur për futbollistët që tregojnë nivel dhe potencial. Lista e publikuar tregon se trajneri gjerman po kërkon një kombinim mes përvojës së yjeve aktualë dhe energjisë së brezit të ri.
