Policia e Kosovës ka raportuar për një sërë rastesh të dhunës në familje në komuna të ndryshme të vendit gjatë 24 orëve të fundit, ku disa persona janë arrestuar, ndërsa disa viktima kanë përfunduar në spital. Në Leposaviq, një burrë u arrestua pasi dyshohet se, në gjendje të dehur, sulmoi me thikë ish-bashkëshorten e tij. Viktima pësoi lëndime trupore dhe mori trajtim mjekësor.
Policia gjeti pranë shtëpisë së saj një thikë që dyshohet se ishte përdorur në sulm. Pas intervistimit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt. Ndërkohë, në Suharekë, një burrë dyshohet se plagosi me armë zjarri djalin e tij pas një mosmarrëveshjeje familjare. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një pistoletë me pesë fishekë, ndërsa viktima po trajtohet në Spitalin e Prizrenit.
I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Një tjetër rast është raportuar në Gjakovë, ku një shtetase e Gjermanisë dyshohet se u sulmua fizikisht nga bashkëjetuesi i saj. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe rasti po hetohet. Në Gjilan, policia arrestoi një burrë nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht ish-bashkëshorten e tij.
Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit. Po ashtu, në Ferizaj, një grua raportoi se ishte dhunuar nga bashkëshorti. Pas intervistimit të palëve, prokurori vendosi që rasti të procedohet në procedurë të rregullt. Ndërsa në Podujevë, një grua u sulmua fizikisht nga bashkëshorti pas një mosmarrëveshjeje.
Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje. Policia ka njoftuar edhe për një rast në Prishtinë, ku është iniciuar procedurë për veprat penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Kanosje”. Sipas raportimit, një burrë dyshohet se kishte dëmtuar me sëpatë derën e hyrjes së shtëpisë dhe kishte kanosur djalin dhe bashkëshorten e tij.
Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt.
