Retorika e zyrtarëve serbë rikthen narrativat e viteve 90-ta kundër

0%

Në Kalludër të Zupçit po vazhdojnë gërmimet për varreza masive, të cilat mund të sjellin dëshmi të reja për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Ndërkohë, Beogradi zyrtar po rikthen gjuhën e vjetër të kërcënimeve dhe pretendimeve territoriale.

Nga Aleksandar Vuçiç e Ana Bërnabiç, të cilët vazhdojnë të përsërisin se Kosova është pjesë e Serbisë, te Snezhana Paunoviç, e cila foli për “spastrim etnik” të shqiptarëve, Petar Petkoviç me pretendimet për përndjekjen e serbëve në Kosovë dhe Aleksandar Vulin, i cili e quajti Kosovën “Jeruzalemi i Serbisë”, retorika zyrtare serbe po bëhet gjithnjë e më agresive.

Madje, një deputet serb në Parlamentin e Serbisë ka pranuar se partia e Vuçiçit nuk është shkëputur kurrë nga politika kriminale e së kaluarës, por e ka përshtatur atë me modelin e sotëm të pushtetit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo gjuhë, sipas profesorëve dhe njohësve të sigurisë, nuk është thjesht propagandë politike, por pjesë e një narrative të qëllimshme për të justifikuar politikisht projektet destabilizuese të Beogradit. “Nuk mund të ndodhë spastrim etnik nëse nuk ka vrasje dhe sidomos vrasje masive, nëse nuk ka përndjekje, nëse nuk ka shkatërrim të territorit, përkatësisht të vendbanimeve.

Serbia i ka kryer të gjitha pra: ka vrarë njerëzit, i ka fshehur gjurmët, ka krijuar varreza masive duke i shmangur gjurmët e krimeve të cilat ajo i ka kryer. Prandaj kjo është në linjë me atë çfarë Serbia ka pretenduar, ka bërë dhe çfarë aktualisht po pretendon”, tha Dorajet Imeri, profesor i gjeopolitikës.

“Ata dëshirojnë të ngjallin një urrejtje sa më të madhe kundraj Kosovës dhe po ashtu edhe të përgatisin dhe mobilizojnë psikologjikisht popullin e tyre për të reaguar kundraj Kosovës në momentin e caktuar.

Një çështje të tillë e kemi parë sidomos në deklaratën e Vuçiçit, por edhe në intervistën e fundit të Vulinit, i cili po thotë që ‘ne po presim zgjedhjet në Serbi dhe të shohim çfarë do të bëjmë kundraj Kosovës’”, tha Gurakuq Kuçi nga Instituti Octopus. Njohës të tjerë thonë se reagimi ndërkombëtar ndaj kësaj retorike të Serbisë duhet të jetë më i ashpër.

“Duhet një qasje më e rëndë, një qasje me kritikë, një qasje që do të duhej të karakterizohej edhe me sanksione. Të gjithë e pamë që neve, Kosovës, na vunë sanksione padrejtësisht, kurse pa bërë asgjë, kurse Serbia, pra, me gjithë këtë të bërë dhe edhe më tutje, është një formë apo tjetër e përkëdhelur.

Pra këtu qëndron problemi që bashkësia evropiane dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi nuk ka ende një qëndrim unik”, tha Fatmir Çollaku, drejtor i Institutit për Hulumtimin në Drejtësi dhe Siguri.

Në këtë kontekst, njohësit vlerësojnë se heshtja apo reagimi i butë ndërkombëtar ndaj gjuhës kërcënuese të Beogradit rrezikon ta normalizojë një narrativë që mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin në rajon.

Burimi: Bota Sot