Pjetër Qeli-Luka (1873-1913)

0%

Pjetër Qeli u lind në Shëngjin të Fanit. Është nga fisi Nokaj i barkut të Vorfajve. Ishte djali i Luk Nikollë Prend Nokajt. Nofkën Qeli e mori, ngaqë nuk kishte flokë, ishte qeros. Si i tillë dhe pa komplekse që ishte, kishte filluar veten ta quante qeli. Këtë e bënte, ngase e dinte se prapa krahëve e thërrisnin ashtu. Pra, ai vetë e pranoi identifikimin më nofkën Qeli.

Kishte trup mesatar. Nuk ka lënë trashëgimtar. Ka dalë kaçak dhe është bashkuar me Zefin e Vogël, sepse e kishte konsideruar trim dhe besnik. Edhe lidhja e origjinës kishte ndikuar në besimin e ndërsjelltë dhe më të drejtë konsiderohej si një ndër njerëzit më të afërt të Zefit të Vogël. Ishte një atentator shumë i shkathët. Ishte plagosur dy herë në krah dhe një herë në dorë.

E kishte edhe një vëlla, Çunin. Familja e Pjetër Qelit, sikurse edhe shumë familje të tjera lëvizte me vendbanim nëpër vise të ndryshme. Një kohë jetoi në fshatin Caparc të Prizrenit dhe më pas në fshatin Fshaj të Gjakovës. Në luftë për çlirimin nga Perandoria Osmane, Zefi i Vogël, Pjetër Qeli dhe Zef Gjidoda do ta themelojnë çetën e Fanit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pra, ishin ndër udhëheqësit kryesorë në kryengritjet antiosmane dhe antiserbe të fillim shek. XX. Gjithashtu ai ishte një ndër udhëheqësit kryesor të çetës të Fanit dhe krahu i djathtë i Zefit të Vogël.

Fillimisht, çeta përbëhej kryesisht nga mirditorë e Shqipërisë apo mirditasit e vendosur në Gjakovë e rrethina siç ishin: Zef Kolë Ndoka, Pjetër Qeli (Luka), Zef Gjidoda, Prenkë Kol Ndoka ( vëllau i Zefit) Pjetër Ramaja etj. Në shërbim të kryengritjës antiosmane ishte edhe vendosja e lidhjeve në mes të Isa Boletinit dhe atdhetarit Patër Engjëll Palaj.

Bashkëpunimi në mes tyre kishte filluar në Strellc, në fillim të vitit 1909. Palaj i lindur në Janjevë prej vitit 1897, si prift, shërbente në kishën e Zllakuqanit. Ai gjatë veprimtarisë së tij nuk u mor vetëm me shërbime fetare por u përkushtua në shërbim të interesave kombëtare.

Sipas të dhënave të gazetës “Vardar” të Shkupit të datës dhe , Patër Engjëll Palaj kishte formuar një çetë luftarake antiturke në Budisalc të Dukagjinit dhe e kishe vënë nën komandën e Zef Gjidodës dhe Qelit të Lukës. Këtë njësi që kishte afro 400 luftëtarë shqiptarë të besimit katolik ai e dorëzoi në komandën e Isa Boletinit.

Të Verrat e Llukës ishte organizuar një kuvend kombëtar në vitin 1910. Aty merrnin pjesë krerët e të gjitha viseve të Kosovës. Në mesin e tyre ishin edhe Pjetër Qeli, Zefi i Vogël, Zef Gjidoda etj.

Përveç dëshmitarëve që ishin njohës të mirë të veprimtarisë të Pjetër Qelit, pjesëmarrjen e tij dhe shokëve të tij me bashkëluftëtarë te Verrat e Llukës e konfirmon edhe revista “Leka” e botuar në Shkodër, me shkrimin e titulluar “E treta mbledhje tu Verrat e Llugës”, në të cilin, ndër të tjera, thekson: “Parësia e Gjakovës e Pejës dau prapë me u’i mledhë te Verrat e Llugës.

Këtu erdh edhe Drenica dhe Rrafshi i madh i Kosovës. Edhe një herë u lidh besa, u përsritën dishirët e lirisë. Edhe fanësit e nahijes së Gjakovës, të Pejës e të Prizrenit nuk iu ndan Bajram Beg Currit.

Zef Gjidoda, Pjetër Qeli e Zefi i Vogël nuk largohen kurr, janë gjithëherë të gatshëm për shkado dhe bajnë kudo trimnina të mdhaja.” Pra, edhe në kryengritjen e vitit 1910, Pjetër Qeli, Zefi i Vo­gël e Zef Gjidoda më çetën e tyre ishin shumë aktivë dhe qëndruan për­krah udhëheqësve kryesorë të kësaj kryengritjeje. Pjetër Qeli Luka Ishte trim i shkathët, por ishte edhe shumë i drejtë.

Kishte ndjeshmëri të madhe ndaj personave që u bënin padrejtësi të tjerëve. Në shënjestër i kishte sidomos ata shqiptarë që bashkëpunonin me regjimin osman dhe që shkaktonin dhunë. Një person i tillë ishte edhe Hajdar Selimi, i cili kishte një grup plaçkitësish e dhunuesish rreth vetes. Mbështetur në këngën popullore, Hajdar Selimi e kishte vrarë në besë Prenkë Çetën.

Të dhënat Hajdar Selimin e përshkruanin si person që shkaktonte dëme të panevojshme ndaj popullatës shqiptare. Krahas këtyre veprimeve ai kishte shkaktuar frikë në masë. Hajdari konsiderohej edhe si trim që s’e merrte pushka. Për ta shpëtuar rrethin e Hasit nga ky keqbërës dhe si hakmarrje për vrasjen e Prenkë Çetës, Pjetër Qeli kishte vendosur të ballafaqohej më të.

Kishte bërë përgatitje paraprake, madje kishte marrë të dhëna edhe për gjestet e tij. Pjetër Qeli përfundimisht arrin të ballafaqohet me Hajdar Selimin. Edhe sipas akademik Marenglen Verlit, Pjetër Çeli me Zef Gjidodën e vranë Hajdar Selimin për të marrë hakun e një plake të mbetur pa njeri, të cilës ai ia kishte vrarë djalin e vetëm.

Nuk pranuan shpërblim në të holla për atë që bënë por vetëm revolen e djalit të vrarë Prenkë Çetës. Pjesëmarrjën e Zef Gjidodës në këtë hakmarrje e dëshmon edhe kënga popullore: “Zef Gjidoda shka ka thanë / pushkë të mirë i kena dhanë”. Në këtë aksion për vrasjen e Hajdar Selimit, ndonëse ishte aksion i komplikuar, nuk kishte marrë pjesë Zefi i Vogël.

Me vrasjen e Hajdar Selimit zona e Hasit frymoj më lirshëm. Këtë vepër populli e ka përjetësuar në këngë: *Pjeter Qeli ni trim mileti Trim Mileti e rrok martinën Derë për derë kërkon Greqinën As ma patë Hajdar Selimin * Këngën popullore të Hajdar Selimit e kishte mbledhur At Shtjefën Gjeçovi dhe është e botuar e plotë të vepra e tij. Aktiviteti i Pjetër Qelit ishte i vazhdueshëm.

Lëvizjet e çetave të armatosura, siç ishin çeta e Zefit të Vogël dhe Pjetër Qelit, si dhe ajo e Mahmut Zajmit, ishin të vazhdueshme. Mytesarifi i Pejës, Xhafer beu, kishte bërë përpjekje t’i qetësonte shqiptarët, por hasi në rezistencën e armatosur të çetave shqiptare.

Sipas raporteve austro-hungareze, “muajt e fundit numri i kaçakëve, i të arratisurve dhe të kërkuarve prej drejtësisë është zmadhuar shumë. Në rajonet e Gjakovës dhe Pejës veprojnë një radhë bandash të tilla të përbëra pjesërisht prej katolikësh e pjesërisht prej muhamedanësh, të cilët nga njëra anë qëllojnë trupat e xhandarëve, kurse në anën tjetër kryejnë akte gjakmarrjeje.

Ata e bëjnë të pasigurt rrugën Mitrovicë-Pejë e Pejë Gjakovë. Frikë kanë ngjallur sidomos disa cuba katolikë, Pjetër Qeli (qerosi) dhe Zefi i Vogël që gëzojnë nam të madh gjithandej.” Çetat në këto rrethana kishin në shënjestër autoritetet osmane. Pas katër ditësh qëndrimi në Pejë, më 7 mars, Haxhi Adil Beu nën përcjelljen ushtarake u nis për në Gjakovë.

Gjatë udhëtimit ndërmjet fshatrave Strellc dhe Isniq, atë e sulmuan çetat shqiptare me rreth 100 vetë të udhëhequra nga Mahmut Zajmi, Zefi i Vogël, Pjetër Qeli, Zef Gjidoda etj. Në luftimet e rrepta që zgjatën 3 orë, ministri Adil Beu u detyrua të ndalet në Isniq, ku kaloi natën, duke pritur përforcime për ta vazhduar rrugën.

Sipas dokumentacionit francez, po ashtu në muajin mars 1912, një betejë tjetër ishte zhvilluar në hyrje të Gjakovës. Siç thuhej, në atë luftë që kishte zgjatur pesë orë, ishin vrarë: pesë policë, një kapiten i xhandarmerisë, katër ushtarë, katër shqiptarë nga kryengritësit dhe ishin plagosur pesë xhandarë dhe tre kryengritës.

Forcat që kanë sulmuar trupat ushtarake janë myslimanë dhe katolikë, pjesëtarë të tri bandave prijës të të cilave janë dy shqiptarë katolikë, Zefi i Vogël dhe Pjetër Qeli, dhe një shqiptar mysliman, Mahmut Zajmi. Gazeta “Liri e Shqipërisë”, që botohej nga Kristo Luarasi në Sofje, në artikullin e saj të datës e lavdëron atdhetarizmin dhe bashkëpunimin e çetave shqiptare.

Ajo madje për ta informuar opinionin sa më saktë jep edhe shembuj konkret si ky: “Qeveria turke tuj ditun qi në çetën e Mahmut Zajmit ka edhe një shumicë katolikë (fan-mirditas), të cilët janë luftëtarë të mëdhenj ju lut despotit (arqipeshkvit L.

Culaj) të katolikëve të Kosovës, Emzot Mjedës, përmes Valiut të Shkupit që të takohej me komitët katolikë dhe t’i bindi qi mos të luftojnë kunër Qeverisë. Ajo si shpërblim do t’i falte dhe do t’i ndihmonte me të holla. Arqipeshkvi Mjeda ndonëse e dinte përgjegjen e tyre, sepse kishte bashkëpunim të ngushtë më ta, formalisht shkoi në Has.

Aty u takua me udhëheqësin e çetave Zefin e Vogël, Pjetër Qelin e Zef Gjidodën me bashkëluftëtarë ku përfaqësuesit osman iu dergua pergjegje negative. Për aktivitetin e këtyre çetave kemi edhe shumë raporte austro-hungareze. Konsulli austriak njoftonte se për herë të parë ekzistonte një unitet i plotë midis çetave myslimane dhe katolike shqiptare kundër qeverisë.

Drejtuesit e çetave vazhdonin të ishin Mahmut Zajmi, Zefi i Vogël, Pjetër Qeli dhe Ali Mehmeti. Sipas të dhënave dokumentare autoritetet osmane dhe serbe u orvatën të fusin përçarje në mes çetave katolike dhe myslimane. Këto çeta e bënin të pasigurt rrugën Pejë-Mitrovicë dhe Pejë-Gjakovë për autoritetet osmane.

Studiuesi Ramiz Avdyli pohon se për masivizimin e kryengritjes, krahas veprimtarisë që po zhvillonin Komiteti Qendror dhe komitetet e fshehta në nahijen e Gjakovës dhe në kazanë e Pejës, u shquan Zefi i Vogël, Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Pjetër Qeli, Halil Mehmeti etj.

Në thirrjen drejtuar popullit shqiptar, në fillim të muajit maj, nga Malësia e Gjakovës shtrohej kërkesa e bashkimit të kryengritësve nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar, i cili, duke pasur edhe një organ shtypi në gjuhë të huaj, të propagandonte programin e luftës se armatosur të popullit shqiptar: “Lirinë administratore të Shqypenies”.

Thirrja ishte nënshkruar nga Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Qeli, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, Hasan Ballanca dhe nga Sali Hoxhë Elbasani, si sekretar i përgjithshëm. Bashkëpunimin dhe unitetin në mes krerëve të kryengritjes e dëshmon edhe Ernest Koliqi në librin Kryengritja e Dedë Gjo Lulit (1911-1971) të botuar në Romë në vitin 1971.

Në nëndarjen “Vllaznimi i elementeve”, ai theksonte: “Kurrë ndërmjet të myslimanëve e të krishterëve s’ asht kenë ma vllaznim i ngushtë se tash. Mbrojtja e idealit kombëtar ka zhduk çdo mëri.

Fanësit e Kosovës, nën prirjen e Zef Gji Dodës, prej Videjës qi sot a gjallë e banon në Laç në Kurbinit, të Pjetër Qelit e të Zefit të Vogël trima në za, luftuen përherë e luftojnë me partinë e Bajram Beg Currit”.

Kryengritësit kishin marrë me kohë masat e nevojshme mbrojtëse për mbajtjen e Kuvendit në Junikut, i cili përfundoi me miratimin e kërkesave ose në një memorandumi prej 6 pikash, të cilat ua paraqitën Stambollit zyrtar, si dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkup që të ishin të informuara për kërkesat shqiptare.

Pasi nuk u pranuan kërkesat shqiptare, gjatë luftimeve për çlirimin e Pejës nga osmanët në Pejë dhe përreth saj, kryengritësve u prinin Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sadik Rama, Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Qeli dhe shumica e krerëve që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Junikut.

Pushteti osman e konsideronte dëbimin e kryengritësve nga rrethinat e Pejës si fitore të madhe, kurse udhëheqësit e çetave shqiptare përfshirë këtu edhe Pjetër Qelin, edhe pas kësaj disfate ishin të gatshëm të vazhdonin luftën. Në fakt, kryengritja vazhdoi. Pasi Perandoria Osmane nuk po i plotësonte kërkesat u vendos të marshohej drejt Shkupit, si kryeqytet i Vilajetit të Kosovës.

Më 11 gusht atje hyri grupi i parë i kryengritësve i përbërë nga 200 veta me Zefin e Vogël dhe Bajram Daklanin në krye, ku sipas gazetës “Shkupi” u shpalos flamuri kombëtar. Gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante: “Pas trimave Malsorë sivjet e ngriti flamurin kombiar Kosova; Mahmut Zajmi me Zefin e Vogël e me tjerë fanës e filluan, por edhe trimat tjerë u ranë pas në ndihmë.

Me Zefin e Vogël pa dyshim që ishin edhe krihët e tij Pjetër Qeli dhe Zef Gjidoda. Pjetër Qeli ishte pjesëmarrës në Pavarësinë në Vlorë bashkë me Zefin e Vogël dhe Zef Gjidodën. Shtetet ballkanike, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi, pas lidhjes së aleancës në tetor 1912, filluan Luftën e Parë Ballkanike. Shqiptarët e Kosovës u rezistuan serbo-malazezëve, por nuk arritën t’i ndalnin.

Ishte periudha kur nga serbo-malazezët, krerët e çetave shqiptare ndiqeshin të vriteshin. Atyre u digjeshin shtëpitë. Në rrethana të tilla ishte e pamundur që edhe çeta e fanit dhe Pjetër Qeli të kishte një ballafaqim frontal me një ushtri shumë më të përgatitur. Megjithatë, ata nuk ishin dorëzuar.

Nuk i dorëzonin armët, por mundësitë për t’u afruar ndihmë popullatës ishin shumë të kufizuara. E vetmja gjë që ata mund të bënin ishte t’u jepnin kurajë dhe përkrahje morale popullatës të rrethit të Gjakovës. Për të mbijetuar më lehtë ishin ndarë në grupe të vogla nga dy-tre persona. Edhe në këto momente të vështira, trimëria e tyre nuk mund të mos vihej në pah.

Shembull eklatant mund të merret akti i trimërisë së Pjetër Qelit. Në verën e vitit 1913, situata në Kosovë keqësohej gjithnjë e më shumë. Në gjysmën e gushtit 1913, në fshatin Fshaj, Qatipi i prefekturës së rrethit kishte hyrë në shtëpinë e kryeplakut të fshatit duke tentuar që t’i dhunonte nusen e djalit.

Britmën e gruas së pambrojtur e dëgjoi Pjetër Qeli, i cili në ato momente gjendej i fshehur afër shtëpisë së kryeplakut. I irrituar thellë në shpirt nga veprimi i dhunshëm i zyrtarit serb, vendosi ta ndihmonte atë nuse të mjerë dhe e vrau zyrtarin serb. Pas këtij veprimi, Pjetër Qeli ndiqej këmba-këmbës për t’u vrarë nga autoritetet ushtarake serbe.

Filloi ekspedita ndëshkuese, që përlau jo vetëm fshatin Fshaj, por edhe Smaqin, Bishtazhinin dhe një varg fshatrash të tjera. Forcat ushtarake serbe i ranë në gjurmë Pjetër Qelit në fshatin Berdesanë. U përpoqën ta kapnin të gjallë, por pasi filloi pushka, u bindën që ai nuk dorëzohej.

U vra pas një qëndrese kundër forcave serbe, në fillim të shtatorit 1913 në fshatin Berdesanë të Gjakovës. Të vrarë e kanë vjerrë në një plep, së bashku me Pjetër Ramajën dhe Qel Shabanin e Becit. Më vonë, natën banorët e fshatit Berdosanë i kanë varrosur buzë rrugës së fshatit. Në këtë fshat prej vitit 1913 gjendet varri i Pjetër Qelit, ku ekziston edhe mikrotoponimi Vorri i Pjetër Qelit.

U vranë tre bashkëluftëtarë të çetës së Fanit. U vranë tre bashkëluftëtarë të Zefit të Vogël dhe Zef Gjidodës. U vra mbase krahu i djathtë dhe bashkëluftëtari më i afërt i Zefit të Vogël, Pjetër Qeli. Humbja e bashkëluftëtarëve ishte humbje shumë e madhe edhe për Zefin e Vogël. Për vrasjen e Pjetër Qelit shkroi edhe “Përlindja e Shqipënies” e datës .

Burimi: Bota Sot