Komandanti i KFOR-it: Retorika nxitëse dhe dezinformatat mbeten

0%

Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk Özkan Ulutaş, ka identifikuar retorikën nxitëse dhe përhapjen e vazhdueshme të dezinformatave si dy prej zhvillimeve që paraqesin shqetësim për mjedisin e sigurisë në Kosovë.

Për KP, Ulutaş tha se këto dukuri mund të ndikojnë në stabilitetin e situatës dhe për këtë arsye, sipas tij, KFOR-i vazhdon të jetë vigjilent dhe i pozicionuar në të gjithë territorin e Kosovës. “Retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm i dezinformatave janë ndër shqetësimet tona, duke pasur parasysh ndikimin që ato mund të kenë në mjedisin e sigurisë.

Për këtë arsye, KFOR-i mbetet vigjilent dhe i pozicionuar mirë në të gjithë Kosovën”, ka deklaruar Ulutaş. Komandanti i trupave të NATO-s në Kosovë ka theksuar se siguria afatgjatë nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake, por përmes një procesi politik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mbetet korniza kryesore për adresimin e çështjeve të pazgjidhura. “KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në kuadër të përpjekjeve më të gjera të NATO-s për të mbështetur avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ai.

Ulutaş ka shtuar se ky proces duhet të çojë drejt zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe kontribuojnë në një siguri të qëndrueshme në Kosovë.

Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur situata e sigurisë në Kosovë vazhdon të monitorohet nga afër nga institucionet vendore dhe misioni i NATO-s, veçanërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Burimi: Telegrafi