Randal Kolo Muani është gati të nisë një kapitull të ri me Juventusin. Sulmuesi francez mbërriti në Torino, ku kreu vizitat mjekësore në J Medical, hapi i fundit përpara firmës zyrtare me klubin bardhezi. Pas negociatave të gjata mes Juventusit dhe Paris Saint-Germain, palët më në fund arritën marrëveshjen që i hap rrugën rikthimit të 27-vjeçarit në Torino.
Kolo Muani kishte shprehur prej kohësh dëshirën për t’u rikthyer te Juventusi, ku kishte lënë përshtypje shumë pozitive gjatë aventurës së tij të mëparshme. Menjëherë pas përfundimit të kontrolleve mjekësore, francezi do të firmosë kontratën e re me “Zonjën e Vjetër”, për t’iu bashkuar më pas skuadrës në turneun parasezonal në Hong Kong.
Juventusi e konsideron Kolo Muanin një nga shtyllat e projektit të ri të Luciano Spallettit. Sulmuesi pritet të udhëheqë repartin ofensiv në sezonin e ri, ndërsa klubi vazhdon të punojë edhe për afrime të tjera në merkato.
