Kampionati Ballkanik për të rritur, i zhvilluar në Tiranë të Shqipërisë, ka sjellë sukses të madh për xhudon kosovare. Ekipi i Kosovës e përfundoi garën me gjithsej nëntë medalje, prej tyre pesë të arta, tre të argjendta dhe një të bronztë, duke u shpallur ekipi më i mirë nga 10 shtetet pjesëmarrëse.
Trajneri Driton Kuka, ka vlerësuar paraqitjen e xhudistëve kosovarë, veçanërisht të garuesve të rinj, të cilët sipas tij treguan nivel të lartë dhe dhanë sinjale pozitive për të ardhmen. “Paraqitje e mirë dhe e shkëlqyeshme, sidomos e garuesve të rinj. Gara e fundit dhe për disa testuese për Lojërat Mesdhetare ”, ka shkruar Kuka.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe dy medalistet Krista dhe Kasandra, të cilat garojnë për Shqipërinë, duke theksuar se janë pjesë e një grupi sportistësh që po zhvillohen pranë ekipit të tij. Rezultati në Tiranë vjen si një tjetër dëshmi e suksesit të vazhdueshëm të xhudos kosovare në arenën ndërkombëtare.
