Trump shqyrton sulme ndaj objektivave energjetike të Iranit brenda

0%

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve ushtarake ndaj objektivave energjetike në Iran gjatë ditëve të ardhshme, megjithëse ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar. Lajmi është bërë i ditur nga “Axios”, duke cituar një zyrtar amerikan, ndërsa raportime të ngjashme janë publikuar edhe nga “CBS News” dhe “The Wall Street Journal”.

Sipas burimeve amerikane, një fushatë e re bombardimesh ndaj infrastrukturës energjetike iraniane do të kishte për qëllim rritjen e presionit ndaj Teheranit, për ta detyruar atë të pranojë kushtet e Shteteve të Bashkuara në negociatat për armëpushim.

Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se një operacion i tillë mund të realizohet edhe me përfshirjen e Izraelit, gjë që do të shënonte rikthimin e ushtrisë izraelite në operacione të drejtpërdrejta kundër Iranit pas disa javësh. Një përshkallëzim i tillë pritet të rrisë rrezikun e sulmeve iraniane me raketa ndaj Izraelit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjatë mbledhjes së kabinetit të premten, Trump la të kuptohet se një ofensivë e re ushtarake është duke u shqyrtuar. “Do t’i godasim shumë fort dhe në një moment ata do të thonë se nuk mund ta përballojnë më”, deklaroi presidenti amerikan para gazetarëve.

Trump shtoi se sa më shumë të vazhdojnë sulmet amerikane, aq më shumë dobësohet Irani dhe aftësia e tij për të vazhduar konfliktin zvogëlohet. Edhe sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, përsëriti qëndrimin e administratës amerikane, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara do të fitojnë dhe Irani nuk do të ketë armë bërthamore gjatë presidencës së Donald Trump”.

Një zyrtar amerikan, i cituar nga “Axios”, tha se Irani ka qenë “jashtëzakonisht agresiv” gjatë ditëve të fundit dhe se disa zyrtarë në Washington janë befasuar nga niveli i përshkallëzimit të ndërmarrë nga Teherani.

Sipas tij, pas sulmit me raketa ndaj një baze amerikane në Jordani të mërkurën, Irani ka kryer edhe sulme të tjera ndaj forcave amerikane në rajon, ndonëse detaje të tjera nuk janë bërë publike. Gjithashtu, të enjten, forcat iraniane kanë sulmuar anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.

Pak ditë më parë, Trump kishte paralajmëruar se çdo sulm i ri ndaj anijeve në rajon do të pasohej nga goditje amerikane ndaj centraleve elektrike, urave dhe objekteve të tjera strategjike në Iran, përfshirë edhe kryeqytetin Teheran.

Ndërkohë, agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim”, e lidhur me Gardën Revolucionare, citoi një zyrtar të lartë të sigurisë, i cili paralajmëroi se çdo sulm amerikan ndaj infrastrukturës iraniane do të ishte “një akt çmendurie”.

Ai tha se Irani ka përgatitur një plan të gjerë kundërpërgjigjeje, që përfshin sulme ndaj infrastrukturës kritike të Izraelit dhe objekteve energjetike amerikane në rajon, duke shtuar se vendi është i gatshëm ta zbatojë nëse do të jetë e nevojshme. Deri tani, presidenti Trump nuk ka marrë vendim përfundimtar për nisjen e sulmeve.

Megjithatë, burimet amerikane theksojnë se opsioni ushtarak mbetet në tavolinë dhe se zhvillimet e ditëve të ardhshme mund të jenë vendimtare për krizën mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com