Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë këtë të premte në manifestimin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026”, ku u bëri thirrje shqiptarëve të ruajnë identitetin kombëtar, gjuhën dhe traditat, ndërsa të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.
Gjatë fjalës së tij në Plavë, kreu i shtetit e cilësoi këtë aktivitet si një urë që lidh shqiptarët me vendlindjen dhe forcon lidhjet mes brezave, duke theksuar se Alpet Shqiptare përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar.
“Alpet Shqiptare janë një pjesë e historisë së shqiptarit, e karakterit dhe e mënyrës se si kemi ditur të jetojmë në harmoni me tokën, me familjen dhe me njëri-tjetrin. Kush vjen këtu nuk gjen vetëm bukuri, por edhe kujtime dhe një mënyrë jetese që ruan ende lidhjen e ngushtë mes njeriut dhe natyrës, mes traditës dhe së ardhmes”, u shpreh Begaj.
Presidenti vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në Plavë dhe Guci për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit kombëtar, duke kujtuar edhe figurat historike të kësaj treve, si Ali Pashë Gucia dhe Jakup Ferri.
Ai theksoi gjithashtu se shqiptarët jetojnë sot në një periudhë me më shumë mundësi, duke nënvizuar rëndësinë e paqes, integrimit evropian dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të fjalës, Begaj përcolli një mesazh për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe forcimin e unitetit.
“Të ruajmë atë që kemi trashëguar, por njëkohësisht të ndërtojmë me besim të ardhmen; të jemi krenarë për identitetin tonë, por edhe të hapur ndaj bashkëpunimit; të mbështesim njëri-tjetrin dhe të punojmë që brezat që vijnë të kenë më shumë mundësi se ne”, deklaroi ai.
Gjatë manifestimit, Presidenti u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, si vlerësim për kontributin e tij në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe mbështetjen e shqiptarëve kudo që jetojnë. Vizita e tij në Plavë dhe Guci përfshiu gjithashtu takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe autoritetet lokale.
