Përfundon programi i Kinemasë Verore të Lumbardhit

0%

Fondacioni Lumbardhi në Prizren organizoi edhe këtë vit programin e Kinemasë Verore me temën “Përtej Rebelimit dhe Absurdit”, duke mbledhur adhuruesit e filmit në DokuKino Plato. Programi u zhvillua nga 17 deri më 31 korrik, ku publiku pati mundësinë të ndjekë tre filma të vlerësuar të kinemasë bashkëkohore.

Shfaqjet u mbajtën çdo të enjte nga ora në kinemanë e hapur të DokuKino Plato, ndërsa filmat trajtuan tema universale si identiteti, familja, besimi, përkatësia, dhimbja dhe trauma, duke ofruar perspektiva të ndryshme për publikun.

Programi nisi me filmin “Persepolis” (2007), me regji të Marjane Satrapi dhe Vincent Paronnaud, ndërsa në javën e dytë u shfaq “Corpus Christi” (2019), me regji të Jan Komasa. Shfaqja e fundit e muajit korrik solli filmin “Butterflies (Kelebekler)” (2018), me regji të regjisorit turk Tolga Karaçelik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Filmi, i cili fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Filmit Sundance, rrëfen historinë e tre vëllezërve e motrave të ndarë prej vitesh që ribashkohen. I ndërthurur me motive surrealiste të jetës rurale, filmi trajton konceptet e familjes, identitetit dhe përkatësisë, duke vënë në pikëpyetje mënyrat se si njerëzit përballen me dhimbjen dhe traumën.

Programi i Kinemasë Verore u organizua nga Fondacioni Lumbardhi me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Gjithashtu, ai u përkrah nga programi “EJA Kosovë” i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe DokuFest.

Shfaqjet e hapura në DokuKino Plato mirëpritën një numër të madh të dashamirëve të filmit, duke përmbyllur me sukses programin e Kinemasë Verore për muajin korrik.

Burimi: Bota Sot