Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për të lejuar përkohësisht operimin e parkingjeve private për një periudhë prej 30 ditësh, me qëllim të garantimit të funksionimit normal të kryeqytetit deri në përfundimin e procedurave administrative për pajisje me leje. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri.
Sipas njoftimit të Retokcerit, kjo masë vlen vetëm për parkingjet private që plotësojnë kushtet e sigurisë dhe të qarkullimit, ndërsa synon të shmangë bllokimin e funksionimit të qytetit. Ai thekson se Prishtina ka nevojë për zgjidhje që sigurojnë funksionim dhe jo bllokim, duke theksuar se vendimi është marrë në interes të qytetarëve dhe për të ruajtur normalitetin në kryeqytet.
Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe do të vazhdojnë procedurat administrative për pajisjen e operatorëve me lejet përkatëse, ndërsa autoritetet theksojnë se interesi publik, funksionimi normal i Prishtinës dhe zbatimi i ligjit do të ecin paralelisht përmes këtij vendimi. / Telegrafi
