Politika sportive e disa klubeve në Kosovë është e habitshme. Disa prej tyre i ndërrojnë trajnerët më shpesh se disa njerëz çorapët. Një qasje e tillë nuk të çon askund. Klubet duhet ta kuptojnë se, si në arenën vendore ashtu edhe në atë evropiane, nuk mund të arrijnë më shumë sesa u lejon cilësia dhe kapaciteti i futbollistëve që kanë në përbërje.
Populli thotë: “Shtriji këmbët sa e ke jorganin.” Të gjithë e kërkojnë rezultatin me çdo kusht, por pak kush e analizon realisht se çfarë ka brenda klubit. Mund ta sjellësh edhe Jose Mourinhon, Hansi Flickun apo Pep Guardiolan, por nuk mund të bësh mrekulli nëse skuadra nuk ka cilësinë e nevojshme. Trajneri nuk mund t’i tejkalojë kufijtë e potencialit të futbollistëve.
Në garat evropiane nuk mund të konkurrosh me klube që kanë buxhete qindra milionëshe. Kjo është një realitet që duhet pranuar. Disa klube në Kosovë mendojnë se me ndërrimin e vazhdueshëm të trajnerëve do të bëhen faktorë. Nuk është kështu. Përkundrazi, krijojnë pasiguri brenda klubit, humbin vazhdimësinë në punë dhe e dëmtojnë projektin sportiv.
Edhe nëse fiton kampionatin e Kosovës apo Kupën e Kosovës, nuk do të thotë se do të bësh “namin” në Evropë. Kaq janë mundësitë financiare dhe sportive që ke. Trajneri mund ta përmirësojë ekipin, por nuk mund ta shndërrojë një skuadër nën mesatare në një fuqi evropiane pa pasur cilësi të mjaftueshme në përbërje.
Klubet duhet të investojnë më shumë në ndërtimin e një projekti afatgjatë, në zhvillimin e futbollistëve dhe në stabilitetin e stafit teknik, sesa të kërkojnë zgjidhje të shpejta duke ndërruar trajnerët pas çdo rezultati negativ.
