Ka përmbyllur zyrtarisht punimet Seminari i 19-të Mbarëkombëtar i Mësuesve të Diasporës, pas tri ditësh diskutimesh intensive në Prishtinë. Ngjarja, e organizuar në bashkëpunim mes ministrive të Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, bëri bashkë mbi 200 mësimdhënës të gjuhës shqipe nga mbarë bota.
Fokusi i këtij edicioni ishte gjetja e metodologjive të reja dhe platformave digjitale për t`i motivuar fëmijët në mërgatë që të mësojnë gjuhën amtare dhe të ruajnë identitetin kombëtar.
“Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar ” ka qenë tema e Seminarit të 19-të Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë. Pjesë e këtij seminari ishin mësimdhënës nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët ushtrojnë profesionin e tyre në diasporë. “Shërben shumë, sepse kemi nevojë për trajnim.
Kemi nevojë që të mësojmë dhe, pse jo, të marrim përvoja të ndryshme për të zhvilluar mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Pa dyshim se vlerat janë të paimagjinueshme” , tha Albana Hasku, mësuese në Itali. “Për mua është hera e parë që po marr pjesë dhe, vërtet, për ne janë shumë të vlefshme dhe të domosdoshme që të marrim pjesë çdo vit.
Për ne janë shumë të vlefshme dhe shërbejnë, sepse shkëmbejmë dhe marrim përvoja të ndryshme nga shtete të ndryshme të botës. Domosdoshmërisht, çdo mësuese apo mësues që punon me mësimin plotësues në diasporë duhet të jetë i pranishëm” , tha Arbëri Vranovci, mësues në Zvicër.
Shkëmbimi i përvojave, ruajtja e gjuhës dhe e traditave shqiptare është qëllimi kryesor i seminarit, i cili do të vazhdojë të organizohet nga dikasteret e arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë. “Qëllimi kryesor i seminarit është shkëmbimi i përvojave nga pjesëmarrësit që janë këtu. Institucionet tona zakonisht ftojnë edhe ekspertë të fushave të caktuara, varësisht nga tema bosht e seminarit.
Natyrisht, ka prezantime nga këta ekspertë, por ka edhe punëtori ku prezantohen përvojat e vetë mësimdhënësve, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe më tej” , tha Arbër Salihu, zyrtar i Ministrisë së Arsimit të Kosovës. “Këtë vit tema ka qenë motivimi, ndërsa vitet e kaluara ka qenë përdorimi i teknologjisë në mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare.
Vitin e ardhshëm, bazuar në identifikimin e nevojave të mësuesve të diasporës, tema qendrore e seminarit do të jetë një nevojë tjetër. Mendojmë se do ta vazhdojmë këtë traditë dhe synojmë gjithmonë promovimin e gjuhës shqipe, ruajtjen dhe zhvillimin e saj në diasporë dhe mërgatë” , tha Erida Koleci, zyrtare e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.
Përmbyllja e seminarit u shënua me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.
