Shoqatat e prodhuesve vendorë dhe qumështarët kanë kërkuar nga institucionet që të marrin masa ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës. Të dhënat nga Dogana e Kosovës tregojnë për një rritje të importeve të produkteve dhe nënprodukteve të qumështit nga shteti boshnjak. Sipas Doganës, nga viti 2023 deri më më tani në Kosovë nga Bosnja janë importuar mbi 13 milionë euro produkte të qumështit.
Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina nuk lejon eksportimin e këtyre mallrave atje, pasi nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe dokumentet si certifikatat veterinare. Naser Bajraktari nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit thotë se shteti i Kosovës duhet të marrë masa ndaj importeve të qumështit që vijnë nga Bosnja dhe Hercegovina. Sipas tij, importet po krijojnë një treg të pabarabartë.
“Ne si prodhues të qumështit e kemi ngritur çështjen shumë më herët. E kemi ngritur diku nga muaji mars, për arsye se duke ditur dhe duke parë çka po importohet dhe sa po importohet në vendin tonë, çdo ditë e më tepër na zvogëlohej hapësira e shitjes së prodhimeve tona vendore. Dhe ne e kemi ngritur alarmin” – thotë Bajraktari për Kallxo Përnime.
“Bosnjës duhet me ia ndalur, sepse ne nuk mundemi me çuar produkte atje. Duhet automatikisht shteti të ndërmarrë masat; mendoj që kjo është në domenin e Ministrisë së Tregtisë që duhet të ndalet. Çdo shtet në botë e ruan bujkun e vet dhe prodhimin e vet” – ka thënë ai.
Naser Bajraktari – Shoqata e Prodhuesve të Qumështit Tutje, Naser Bajraktari ka shprehur edhe dyshime për çmimet e importit nga Bosnja dhe Hercegovina. “Unë mendoj se ne jemi fermerë dhe ligjet e këto janë për institucionet, por unë mendoj që ka të drejtë me bërë një antidumping për Bosnjën” – ka thënë ai.
Edhe nga Shoqata e Prodhuesve Vendorë ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të përmirësuar prodhuesit vendorë. Kushtrim Ajvazi nga kjo shoqatë ka thënë se prodhimi në Kosovë është gjendje jo të mirë. “Prodhuesit po përballen me dy situata: në një anë po kërkohet me prodhuar cilësi (që ka kosto), e në anën tjetër kur dalin me çmime në raft po pyesin pse prodhimi vendor po del kaq shtrenjtë.
Po del shtrenjtë sepse këtu duhet me funksionuar zinxhiri shtetëror, ku në situata të caktuara — sikurse është rasti i qumështit aktualisht — duhet t’ju gjendet zgjidhja. Këto situata janë afatshkurtra, por duhet të menaxhohen dhe të krijohen mekanizma” – ka thënë ai. “Me 67 centë po hyn importi, ndërkohë po kërkohet me grumbulluar prej fermerit me 50 centë.
Ku janë kostot e tjera të përpunimit, paketimit, marzha e prodhuesit dhe marzha e marketit për me dalë në raft? Është e pamundur me i përballuar” – ka thënë Ajvazi. Në anën tjetër, ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, ka thënë që është në dorën e Qeverisë së Kosovës që të marrë masa. Sipas tij, reciprociteti ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës do të ishte njëra prej tyre.
“Po, është në mandatin e qeverisë dhe të ministres së Tregtisë që me i vu barrierë prodhimeve që vijnë nga Bosnja për shkak se Bosnja nuk e njeh Republikën e Kosovës. Kjo është sferë politike dhe kjo praktikë ekziston në të drejtën ndërkombëtare” – ka thënë Mulaj.
“Por edhe produktet që vijnë e që kanë elemente të dampingut apo elementeve të tjera mund t’i hetojë Departamenti i Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë. Unë do të doja një qeveri që krijon reciprocitet me cilindo shtet, përveç rasteve kur e kemi të pamundur me zëvendësuar diçka që i krijon problematika tregut kosovar.
Përndryshe do të duhej të instalohej reciprociteti” – thotë ish-ministri Ismet Mulaj. Në vitin 2013, Kosova kishte vendosur një taksë prej 10% ndaj produkteve të Bosnjë-Hercegovinës, por ajo ishte larguar pas një viti.
“Bosnja ka pasur dikur një masë takse 10% për të gjitha produktet që vinin nga Bosnja, por në vitin 2014 kjo masë është hequr në mënyrë të çuditshme dhe nuk është rivendosur më asnjëherë” – ka thënë Mulaj.
Në një intervistë për Kallxo Përnime, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kanë nisur grumbullimin e informacioneve mbi bazën e dyshimeve për çmimet dumping nga importet e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Mimoza Kusari- Lila – Ministre- MINTI “Personalisht i kam takuar dhe kanë kërkuar një vëmendje më të shtuar tek cilësia e qumështit të importuar së pari, dhe së dyti edhe tek praktikat antidumping për të vlerësuar nëse me të vërtetë është duke u praktikuar antidumpingu tek qumështi veçanërisht nga Bosnja dhe Hercegovina, por edhe disa shtete të tjera anëtare të CEFTA-s” – ka thënë Kusari-Lila.
“Kemi filluar tek Departamenti i Tregtisë mbledhjen e informacionit, i cili krahason të dhënat nga doganat me çmimet në tregun me pakicë e pastaj edhe verifikimin e çmimit të qumështit nga vendet e origjinës. Shumë shpejt do ta kemi një vlerësim pas të cilit pastaj marrim një vendim si ministri” – ka deklaruar ministrja Mimoza Kusari-Lila.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë këtij viti në Kosovë janë importuar 1 milion e 886 mijë euro vlerë e produkteve të qumështit.
