Edhe pse prej vitit 2017 nuk jetojnë më nën të njëjtën çati, aktorët e njohur Danny DeVito dhe Rhea Perlman nuk janë divorcuar kurrë zyrtarisht. Përkundrazi, ata kanë ruajtur një marrëdhënie shumë të afërt, takohen rregullisht dhe kalojnë kohë së bashku me familjen. Së fundmi, DeVito zbuloi se divorci nuk është aspak në planet e tyre.
Në një intervistë për AARP, aktori 81-vjeçar tha se ai dhe ish-bashkëshortja vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së njëri-tjetrit. “Jam vazhdimisht në shtëpinë e saj. Kalojmë kohë me nipërit dhe mbesat dhe qëndrojmë shpesh bashkë. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë”, u shpreh ai. DeVito theksoi gjithashtu rëndësinë që kanë familja dhe miqtë e ngushtë në jetën e tij.
“Pavarësisht çfarë të ndodh në jetë, gjëja më e rëndësishme është të kesh familje dhe miq – njerëz të cilëve u beson, me të cilët mund të flasësh hapur dhe tek të cilët mund të mbështetesh. Në këtë aspekt, unë kam qenë me shumë fat”, tha aktori. Danny DeVito dhe Rhea Perlman ishin në lidhje për rreth dhjetë vjet përpara se të martoheshin në janar të vitit 1982.
Ata kanë tre fëmijë së bashku: Lucy, Grace dhe Jacob. Publiku i kujton edhe për bashkëpunimet në ekran, veçanërisht në filmin “Matilda” të vitit 1996, ku interpretuan prindërit e papërgjegjshëm të protagonistes, si dhe në serialin komik “Taxi”. Çifti u nda për herë të parë në tetor të vitit 2012, por u ribashkua një vit më vonë.
Në mars të vitit 2017 vendosën sërish të jetonin veçmas, këtë herë në mënyrë të përhershme. Edhe Rhea Perlman kishte folur më herët për marrëdhënien e tyre të pazakontë, por të shëndetshme, gjatë një paraqitjeje në emisionin “Watch What Happens Live with Andy Cohen”. “Danny dhe unë gjithmonë e kemi dashur njëri-tjetrin.
Kemi tre fëmijë të mrekullueshëm dhe pajtohemi për pothuajse çdo gjë që ka rëndësi. Kemi kaluar 40 vjet së bashku”, kishte deklaruar ajo. Aktorja 78-vjeçare shpjegoi se pas kaq shumë vitesh ndien nevojën për një ndryshim. “Dyzet vjet janë një periudhë shumë e gjatë. Ndoshta vjen një moment kur dëshiron të provosh një mënyrë tjetër jetese dhe kjo është krejt normale”, tha Perlman.
Sipas saj, sot ata shkojnë edhe më mirë me njëri-tjetrin, pasi nuk përballen më me tensionet e përditshme të bashkëjetesës. “Nuk jemi vazhdimisht përballë njëri-tjetrit. Fillimi ishte i vështirë për shkak të fëmijëve dhe gjithçkaje tjetër, por tani të gjithë kanë marrëdhënie shumë të mira, si me Danny-n ashtu edhe me mua. Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi”, u shpreh ajo.
Kur u pyet nëse kanë menduar ndonjëherë për një divorc zyrtar, Perlman u përgjigj shkurt: “Nuk është fare në planet tona. Pse duhet? Jetojmë të ndarë, por vazhdojmë të takohemi shpesh.” Pavarësisht moshës, Danny DeVito nuk ka ndërmend të ngadalësojë ritmin e punës. Ai do të rikthehet në ekran këtë fundvit në filmin “Jumanji: Open World”, ku do të interpretojë personazhin e gjyshit Eddie.
“Sa më shumë plakem, aq më i përshtatshëm bëhem për këtë rol. Mjafton të ma jepni bastunin”, tha ai me humor. I pyetur se cili është sekreti për të mbetur energjik, DeVito u përgjigj se nuk lidhet vetëm me ushqimin e shëndetshëm. “Më pëlqen të punoj. Dje kalova gjithë ditën duke montuar, ndërsa sot kam takime me skenaristët”, përfundoi aktori.
