Bashkimi Evropian ka akuzuar platformën kineze të tregtisë online Temu se nuk ka bashkëpunuar plotësisht gjatë një inspektimi të zhvilluar në kuadër të një hetimi për subvencione të huaja që mund të shtrembërojnë konkurrencën.
Komisioni Evropian njoftoi se, gjatë kontrolleve të befasishme të kryera në dhjetor 2025 në zyrat e filialit të Temu, WhaleCo në Dublin, kompania nuk dorëzoi disa informacione dhe dokumente të kërkuara nga hetuesit.
Sipas Brukselit, Temu nuk ofroi të dhëna mbi organizimin dhe menaxhimin e aktiviteteve të saj në Bashkimin Evropian, sistemet teknologjike që përdor, si dhe dokumentacion të caktuar mbi veprimtarinë e saj në tregun evropian. Komisioni Evropian tha se mungesa e këtyre informacioneve pengoi hetuesit të shqyrtonin prova që mund të jenë të rëndësishme për rastin.
Nga ana tjetër, Temu i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet evropiane dhe ka përmbushur të gjitha kërkesat e bëra gjatë inspektimit, raporton Euronews.com, transmeton Sinjali. Kompania gjithashtu mohoi kategorikisht se ka përfituar subvencione të padrejta nga shteti, duke theksuar se operacionet e saj në Evropë financohen nga të ardhurat e veta.
Hetimi i BE-së lidhet vetëm me inspektimet e kryera në dhjetor 2025 dhe Temu ka të drejtë t’u përgjigjet zyrtarisht shqetësimeve të ngritura nga Komisioni Evropian. Temu numëron rreth 130 milionë përdorues në 27 vendet e Bashkimit Evropian , duke u renditur ndër platformat më të mëdha të tregtisë online në kontinent. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
