Trajneri i Shkëndijës nga Tetova, Artim Pollozhani, ishte i kënaqur pas kualifikimit në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, duke theksuar se futbollistët e tij me meritë siguruan kalimin në fazën tjetër pas fitores 3:1 ndaj Bravos nga SAllovenia. Ai tha se nuk ishte aspak e lehtë të luaje kundër një ekipi që mbrohej dhe priste vetëm mundësi përmes kundërsulmeve.
“Ky ishte një takim shumë i rëndësishëm, ndërsa lojtarët e mi e zhvilluan në mënyrë të shkëlqyeshme dhe meritojnë të gjitha përgëzimet. Nuk ishte e lehtë kundër një skuadre që luan e tërhequr dhe pret rastin përmes tranzicionit, por ne arritëm t’i neutralizojmë armët e tyre më të forta dhe fituam me meritë” , deklaroi Pollozhani.
Ai theksoi se skuadra tregoi një reagim të mirë psikologjik, sidomos pas golit të pranuar, pasi nuk lejoi rënie në lojë dhe vazhdoi të krijojë raste. “Më së shumti më pëlqeu fakti që nuk e ulëm ritmin. Vazhduam të sulmojmë dhe të besojmë në stilin tonë të lojës. Që nga fillimi kemi insistuar në futboll ofensiv dhe në krijimin e rasteve.
Nëse vazhdimisht krijoni mundësi, golat patjetër do të vijnë, qoftë në minutën e 15-të, të 30-të apo në minutat e fundit” , theksoi trajneri i tetovarëve.
