Federata Italiane e Futbollit po hyn në një fazë të re organizimi. Presidenti Giovanni Malagò, po përshpejton punën për të kompletuar strukturën drejtuese të kombëtares, me një objektiv të qartë, të krijojë një lidhje të fortë mes ekipit të parë dhe sektorit të të rinjve. Pas largimit të Paolo Maldinit dhe Leonardo-s, ndryshimet erdhën me shpejtësi.
Brenda pak më shumë se 24 orësh u zyrtarizuan Roberto Mancini si trajner i Italisë dhe Claudio Ranieri si drejtor teknik. Por ende mungon një pjesë e rëndësishme e mozaikut, ajo që Malagò e ka quajtur “figura e tretë”. Një drejtues që duhet të lidhë kombëtaren e parë me ekipet e të rinjve.
Një rol që në të kaluarën është mbuluar nga figura të mëdha si Gigi Riva, Gianluca Vialli dhe Gianluigi Buffon. Rikthimi i Mancinit ka marrë një sinjal të rëndësishëm edhe nga brenda dhomës së zhveshjes. Mbështetja e kapitenit Donnarumma është një tregues i qartë se trajneri që udhëhoqi Italinë drejt triumfit në Wembley në vitin 2021 gëzon ende besimin e liderëve të grupit.
Por përballë këtij kapitulli të ri nuk mungojnë sfidat. Nëse boshti i skuadrës dhe reparti difensiv ofrojnë garanci, sulmi mbetet ende një repart në fazë riorganizimi. Mateo Retegui, një nga zbulimet më të rëndësishme të ciklit të parë të Mancinit, është jashtë për shkak të dëmtimit, duke lënë një boshllëk në repartin ofensiv.
Në këtë situatë, përgjegjësia kalon te Moise Kean, ndërsa Federico Chiesa, Giacomo Raspadori dhe Nicolò Zaniolo duhet të fitojnë hapësirë me paraqitje bindëse. Skema 4-3-3, sistemi që u bë marka taktike e Italisë së Mancinit dhe që e çoi kombëtaren drejt triumfit në Evropian, pritet të jetë sërish një nga pikat kryesore të projektit të ri.
Por rikthimi i trajnerit nuk synon të jetë një kopje e së kaluarës. Mancini kërkon të ndërtojë një Itali të re, duke bashkuar eksperiencën e lojtarëve me përvojë me energjinë dhe talentin e brezit të ri. Emra si Pio Esposito, Pisilli, Bartesaghi, Scalvini dhe Leoni përfaqësojnë fytyrën e së ardhmes së kombëtares dhe një investim për ciklin e ardhshëm.
Sfida e parë zyrtare do të jetë Nations League, me debutimin e programuar më kundër Belgjikës. Me pas, vëmendja do të përqendrohet te rruga drejt Kampionatit Evropian 2028, me fazën kualifikuese që do të nisë në mars të vitit 2027. Italia e Mancinit nis kështu një kapitull të ri, me ambicien për të ndërtuar të ardhmen.
