Hoxha konfirmon: Shqipëria ka kërkuar hapjen e një konsullate në

0%

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar pas debatit të nxitur nga deklarimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për mundësinë e hapjes së një konsullate serbe në Shqipëri.

Ai konfirmoi se Serbia ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër, ndërsa Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës. Përmes një reagimi në rrjetin social X, Hoxha u fokusua te kërkesa e Shqipërisë për një prani të përhershme konsullore në Preshevë.

“Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse”- thuhet në reagimin e tij.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Hoxha theksoi se reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve, por sqaroi se ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje apo objektiva. “Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare.

Ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë”- deklaroi ministri. Sipas tij, interesi i Shqipërisë është krijimi i një pranie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, për të qenë më pranë shqiptarëve që jetojnë atje dhe për të mbështetur më mirë të drejtat dhe interesat e tyre.

“Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar, në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar.

Kjo do të krijojë mundësi më të mira për të qenë më pranë qytetarëve shqiptarë atje, për t’i mbështetur ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të tyre legjitime”- u shpreh Hoxha. Ministri kritikoi reagimet që, sipas tij, kanë zhvendosur debatin nga interesi i Shqipërisë drejt “hamendësimeve mbi interesat e supozuara të palës tjetër”.

Në fund, ai theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë bazohet në interesin kombëtar, respektimin e normave të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave evropiane, duke shtuar se ky do të mbetet standardi i vendit edhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, kishte deklaruar se ka arritur një marrëveshje në parim me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc. Sipas raportimit të Top Channel , Gjuriq ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedime me homologun e tij shqiptar.

“Jam i kënaqur që pata bisedime kaq të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për të hapur zyra konsullore në Shkodër dhe Bujanoc” – citohet të ketë deklaruar Gjuriq, për Radio Beogradin.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar ndaj raportimeve për një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër. Përmes një postimi, Bushati ka thënë se shpreson që lajmi i bërë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë të mos jetë i vërtetë.

“Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë” – ka shkruar Bushati. Sipas tij, hapja e një konsullate të Serbisë në Shkodër do të ishte një veprim i gabuar në planin strategjik. “Në planin strategjik do të ishte e gabuar.

Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës” – ka deklaruar ai.

Bushati ka vlerësuar se një vendim i tillë do të ishte i gabuar edhe në aspektin taktik, duke përmendur retorikën e zyrtarëve serbë ndaj Kosovës dhe raportet e Serbisë me Malin e Zi. “Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë.

Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri” – ka shkruar ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Edhe deputetja e Qarkut të Shkodrës, Marjana Koçeku, ka reaguar ndaj raportimeve për një marrëveshje në parim për hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër, duke kërkuar sqarime nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Përmes një reagimi publik, Koçeku ka thënë se hapja e një konsullate shqiptare në Bujanoc është e nevojshme, por ka vënë në pikëpyetje arsyet e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër. “Që të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc ka shumë arsye dhe asht e nevojshme, por hapja e nji konsullate serbe në Shkodër asht e çuditshme. Çfarë kërkon konsullata serbe pikërisht në Shkodër?

Kujt i shërben ajo konsullatë?” – ka shkruar Koçeku. Ajo ka shtuar se ministri i Jashtëm duhet të japë sqarime lidhur me këtë çështje, nëse raportimet rezultojnë të jenë të sakta. “Këtyne dhe shumë pyetjeve të tjera ministri jonë i jashtëm, z. Hoxha, duhet me iu dhanë përgjigje sa ma parë, nëse ky lajm asht i vërtetë” – ka deklaruar ajo.

Duke iu referuar Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore dhe praktikës ndërkombëtare, Koçeku ka argumentuar se hapja e konsullatave lidhet zakonisht me ekzistencën e një komuniteti të konsiderueshëm të shtetasve të shtetit përkatës ose me interesa të rëndësishme ekonomike, tregtare e kulturore.

“Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore dhe praktikës ndërkombëtare, hapja e konsullatave lidhet zakonisht me ekzistencën e nji komuniteti të konsiderueshëm të shtetasve të shtetit dërgues, me interesa të rëndësishme ekonomike, tregtare apo kulturore, si edhe me nevojën për ofrimin e shërbimeve konsullore, për shkak të fluksit të udhëtimeve apo shkëmbimeve.

Në rastin e Shkodrës, të paktën në të dhanat publike, këto elemente nuk rezultojnë me qenë të pranishme në përmasa që me e justifiku hapjen e nji konsullate serbe” – ka shkruar ajo. Koçeku ka përmendur edhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2023, sipas të cilave në Qarkun e Shkodrës janë vetëdeklaruar 54 persona si serbë.

“Në censusin e vitit 2023, në tanë qarkun e Shkodrës rezultojnë vetëm 54 persona të vetëdeklaruem si serbë… Në total, në tanë qarkun e Shkodrës janë 296 persona të komuniteteve sllavishtfolëse, ma pak se 0.2% e popullsisë, prej të cilëve vetëm 54 janë serbë” – ka theksuar deputetja.

Sipas saj, këto të dhëna ngrenë dyshime se hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk bazohet në nevoja reale të komunitetit. “Kjo don me thanë se hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk bazohet aspak në nevoja reale të komunitetit. Përkundrazi, e ban krejt të arsyeshëm dyshimin se kena të bajmë me nji lëvizje me interes gjeopolitik nga ana e Serbisë” – ka përfunduar Koçeku.

Burimi: Kallxo